Bota

Gjermania shpreh mbështetje të fortë për planin e Gazës, por shmang angazhimin ushtarak

Kancelari Merz përshëndeti marrëveshjen e armëpushimit midis Hamasit dhe Izraelit dhe falënderoi presidentin amerikan Trump dhe aktorët rajonal Katarin, Egjiptin dhe Turqinë për përpjekjet e tyre

Ayhan Şimşek  | 10.10.2025 - Përdıtësım : 10.10.2025
Gjermania shpreh mbështetje të fortë për planin e Gazës, por shmang angazhimin ushtarak

Berlin

Gjermania ka njoftuar se do të mbështesë planin e Gazës me ndihmë të fortë financiare dhe teknike, por nuk do të angazhojë trupa për forcën ndërkombëtarë të planifikuar të sigurisë, transmeton Anadolu.

Kancelari Friedrich Merz në një deklaratë nga zyra e tij për media përshëndeti marrëveshjen e armëpushimit midis grupit palestinez Hamas dhe Izraelit dhe falënderoi presidentin e SHBA-së, Donald Trump dhe aktorët rajonal Katarin, Egjiptin dhe Turqinë për përpjekjet e tyre.

"Ne kemi nevojë për zbatim të shpejtë tani. Pengjet, përfshirë qytetarë gjermanë, më në fund duhet t'u kthehen familjeve të tyre. Armëpushimi duhet të hyjë në fuqi dhe të stabilizohet gjatë javëve të ardhshme. Ndihma humanitare duhet të arrijë shpejt te populli i Gazës", tha Merz.

Ai shtoi se Gjermania do të sigurojë menjëherë 29 milionë euro shtesë në ndihmë humanitare për Gazën. Gjermania do të organizojë një konferencë rindërtimi me Egjiptin, duke u përqendruar në prioritetet urgjente si rivendosja e infrastrukturës së ujit dhe energjisë dhe përmirësimi i kujdesit mjekësor.

"Jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi në bordin e propozuar nga presidenti Trump", tha Merz duke iu referuar organit ndërkombëtar të tranzicionit "Bordi i Paqes", i cili do të drejtohet nga presidenti i SHBA-së. Ai shtoi se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë procesin e konsolidimit dhe reformës së Autoritetit Palestinez, në mënyrë që të luajë rol në të ardhmen e Gazës.

Lidhur me aspektet e sigurisë të planit të Gazës, kancelari gjerman sinjalizoi se Berlini është gati të marrë përgjegjësi duke mbështetur misionet policore të BE-së në Gaza.

"Qeveria gjermane do të punojë për të forcuar misionet e BE-së, EUBAM Rafah, e cila mbështet mbrojtjen e kufijve dhe EUPOL COPPS, e cila mbështet policinë dhe gjyqësorin civil palestinez", tha ai.

Kancelari gjerman theksoi rëndësinë e krijimit të një force të përkohshme ndërkombëtare stabilizimi si pjesë e planit të Gazës. Ai tha se Gjermania do të mbështeste krijimin e kornizës ligjore për një prani të tillë ndoshta përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

"Për Gjermaninë, nuk shtrohet çështja e pjesëmarrjes ushtarake", theksoi ai, duke sqaruar se Gjermania nuk po planifikon të angazhojë trupa në forcën ndërkombëtare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.