Gjermania riafirmon mbështetjen për qeverinë siriane, mirëpret armëpushimin me SDF-në
Kancelari gjerman thotë se marrëveshja e armëpushimit dhe integrimit mes Damaskut dhe SDF-së është një "sinjal inkurajues", por shton se mbetet ende shumë punë për pajtimin dhe normalizimin në Siri
Berlin
Gjermania riafirmoi të hënën mbështetjen e saj për qeverinë e Sirisë dhe mirëpriti marrëveshjen e armëpushimit dhe integrimit me grupin SDF në verilindje të vendit, transmeton Anadolu.
"Fakti që dje pati një armëpushim mes ushtrisë siriane dhe forcave kurde është një sinjal inkurajues, por sigurisht që ende ka shumë punë për t'u bërë", tha kancelari gjerman Friedrich Merz në një konferencë për media në Berlin.
"Ne ende nuk e kemi finalizuar vlerësimin tonë për këtë plan me 14 pika; këtë do ta bëjmë brenda qeverisë. Megjithatë, ne duam të mbështesim të gjithë procesin e pajtimit në vend", shtoi ai.
Presidenti sirian, Ahmad al-Sharaa, shtyu vizitën e planifikuar në Gjermani këtë javë për shkak të zhvillimeve të brendshme politike në Siri, përfshirë një operacion ushtarak të nisur kundër forcave të SDF-së në disa qytete. Operacioni pasoi shkeljet e përsëritura nga grupi SDF të marrëveshjeve të mëparshme.
Merz theksoi se mbështetja e Gjermanisë për qeverinë siriane dhe ftesa e tij për presidentin sirian për të vizituar Berlinin mbeten të pandryshuara pavarësisht shtyrjes. Ai shtoi gjithashtu se Berlini dëshiron të forcojë marrëdhëniet politike dhe ekonomike me Damaskun dhe të kontribuojë në rindërtimin, pajtimin dhe normalizimin e Sirisë.
"Sot rreth një milion refugjatë sirianë jetojnë në Gjermani, shumë prej tyre në pritje për t'u kthyer në atdhe. Nëse plotësohen kushtet, ata do të kthehen", tha Merz. "Ne kemi interes të drejtpërdrejtë që ky vend të gjejë paqe dhe të mundësojë bashkëjetesë të mirë mes grupeve të ndryshme të popullsisë", shtoi ai.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
