Bota

Gjermania regjistron numrin më të lartë të rasteve të dhunës në familje

Dhuna ndaj grave u rrit vitin e kaluar, me mbi 53 mijë raste të krimeve seksuale të regjistruara, tregojnë shifrat zyrtare

Ayhan Şimşek  | 21.11.2025 - Përdıtësım : 21.11.2025
Gjermania regjistron numrin më të lartë të rasteve të dhunës në familje

Berlin

Gjermania regjistroi numrin më të lartë të viktimave të dhunës në familje në vitin 2024, me 265.942 persona të lënduar, sipas shifrave zyrtare të publikuara të premten, raporton Anadolu.

Gratë përbëjnë 70 për qind të viktimave. Policia regjistroi 308 vajza dhe gra të vrara gjatë vitit. Autoritetet gjithashtu regjistruan 53.451 viktima femra të krimeve seksuale në vitin 2024, një rritje prej 2 për qind nga viti i kaluar. Pothuajse gjysma ishin të mitura kur ndodhën krimet.

Ministrja e Çështjeve Familjare e Gjermanisë, Karin Prien në konferencën për mediat në Berlin tha se shifrat ishin shqetësuese dhe qeveria po punonte për masa të reja për të siguruar lirinë dhe sigurinë e grave. "Dhuna ndaj grave është krim i përditshëm që nuk duhet ta tolerojmë. Çdo grua ka të drejtë për një jetë pa frikë dhe pa dhunë", theksoi ajo.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt premtoi se mbrojtja e grave do të jetë përparësia më e lartë për qeverinë dhe autoritetet e sigurisë. "Gratë duhet të ndihen të sigurta dhe të jenë në gjendje të lëvizin lirisht kudo", tha ai duke shtuar se sipas projektligjit të ri, qeveria planifikon t'u lejojë gjykatave t'u kërkojnë autorëve të dhunës në familje të mbajnë monitorë elektronikë të kyçit të këmbës.

Kreu i Zyrës Federale të Policisë Kriminale, Holger Munch tha se statistikat zyrtare kapin vetëm rastet e raportuara.

"Dhuna në familje e cila shpesh ndodh pas dyerve të mbyllura, është veçanërisht e prirur të mos raportohet. Prandaj, ne duhet të punojmë për të inkurajuar më shumë viktima që të gjejnë guximin për të raportuar incidentet në mënyrë që të përmirësojmë mbrojtjen dhe mbështetjen për viktimat", tha Munch.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın