Bota

"Gjermania nuk sheh pengesa për Maqedoninë e Veriut për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE"

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut ka takuar homologun e tij gjerman, ku është diskutuar për pritjet për Këshillin e BE-së që mbahet në tetor

Admir Fazlagikj   | 13.09.2019
"Gjermania nuk sheh pengesa për Maqedoninë e Veriut për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE" ( Abdülhamid Hoşbaş - Anadolu Agency )

Shkup

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, sot realizoi takim me homologun e tij gjerman, Heiko Maas, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç bëjnë të ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, në takim është bërë përmbledhja e arritjeve, zhvillimet aktuale dhe shanset në raport me pritjet për Këshillin e Bashkimin Evropian (BE) që mbahet në tetor.

Në kumtesën e Ministrisë thuhet se ministri Dimitrov ka shprehur falënderime për mbështetjen principiele dhe konzistente dhe për miqësinë gjermane, duke shprehur bindjen se në tetor nuk do të lëshohet mundësia për sukses të përbashkët. Në takim janë shqyrtuar marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë për thellimin e tyre, veçanërisht në pjesën e bashkëpunimit ekonomik.

Ministri gjerman Maas, ka riafirmuar mbështetjen për Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se është optimist në raport me pritjet për Këshillin e BE-së në tetor dhe se "nuk sheh asnjëfarë pengese për Maqedoninë e Veriut që të fillojë bisedimet për anëtarësim me BE-në", thuhet në kumtesë.

"Këtë vit jam vizitor i shpeshtë në Berlin dhe sot, në prag të Këshillit të BE-së në tetor, kam ardhur të shkëmbej mendime me miqtë tanë gjermanë dhe të theksoj edhe një herë se Maqedonia e Veriut paraqet një mundësi të padyshimtë për sukses të merituar dhe të përbashkët me BE-në në tetor. Jemi falënderues për mbështetjen gjermane dhe jemi të bindur se perspektiva evropiane së shpejti do të vlerësohet dhe do të njihet nga të gjitha shtetet e tjera anëtare të BE-së", theksoi ministri Dimitrov.

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut është takuar edhe me ministrin shtetëror përgjegjës pë Evropën, Michael Roth, ku bashkëbiseduesit kanë shkëmbyer mendime rreth rezultateve konkrete nga reformat që Maqedonia e Veriut i ka arritur, si dhe për kontekstin më të gjerë rajonal dhe të BE-së në prag të Këshillit që mbahet në tetor.

Nesër, Dimitrov vazhdon takimet me deputetë nga parlamenti gjerman, këshilltarin për politikë të jashtme të kancelares Merkel, si dhe me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın