Bota

Gjermania me strategji të re për Afrikën për t'i konkurruar Kinës

Gjermania synon të zëvendësojë "Planin Marshall me Afrikën" me një strategji të re e cila do ta mbajë Gjermaninë në garë për Afrikën përball Kinës

22.12.2022 - Përdıtësım : 22.12.2022
Gjermania me strategji të re për Afrikën për t'i konkurruar Kinës

Berlin

Bahattin Gönültaş

Gjermania po përgatitet të konkurrojë përballë Kinës në kërkim të energjisë, lëndëve të para dhe tregjeve të reja, duke përpiluar një strategji të re për kontinentin afrikan, shkruan Anadolu Agency (AA).

Në "kontinentin e zi", i cili njihet për varfërinë e tij, problemet e kapitalit, thatësirat dhe trazirat e brendshme të pafundme e bëjnë të vështirë luftën e Afrikës për industrializim, por rezervat e pasura me minerale dhe popullsia e re vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e vendeve të zhvilluara. Ky interes në rritje në kontinent çon gjithashtu në rritje të konkurrencës midis vendeve.

Vlen të përmendet se vitet e fundit investimet kineze, turke, italiane dhe indiane në vendet afrikane janë rritur, nga ana tjetër, disa vende, si Gjermania, po zhvillojnë strategji të reja për të rritur praninë e tyre në kontinent.

Megjithatë, vetëm një për qind e investimeve prej 163.7 miliardë eurosh (173 miliardë dollarë) të kompanive gjermane në vendet e huaja vitin e kaluar ishin në kontinentin afrikan.

Në vitin 2021, rreth 76 për qind e kapitalit gjerman shkoi në vendet evropiane ndërsa SHBA-ja renditet e dyta me 9 për qind dhe Azia zuri vendin e tretë me 13 për qind.

Një nga gazetat e njohura financiare në Gjermani "Handelsblatt" raportoi se vendi synon të zëvendësojë "Planin Marshall me Afrikën" me një strategji të re për të mbajtur Gjermaninë në garën në Afrikë përballë Kinës.

Në janar, ministrja gjermane e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik, Svenja Schulze do të prezantojë planin e ri strategjik, sipas dokumentit financiar.

Me këtë, Gjermania synon të mbrohet nga krizat globale duke forcuar ndikimin e saj të butë.

Përderisa Kina ka shfrytëzuar në mënyrë të përsëritur fuqinë e saj të investimeve dhe huadhënies në Afrikë duke bërë që vendet e kontinentit të votojnë në favor të saj në OKB, draft strategjia e re e Gjermanisë për kontinentin identifikon Türkiye-n dhe shtetet e Gjirit si "rivale" si dhe Kinën dhe Rusinë.

Draft strategjia thekson se këto vende investojnë në infrastrukturë, bëjnë përpjekje që të arrijnë akses në lëndët e para dhe tregje si dhe synojnë të rrisin ndikimin e tyre politik.

Ndërkohë, Ministria e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit të Gjermanisë pret një partneritet të fortë me Afrikën për të ndihmuar Gjermaninë në drejtim të punëtorëve të kualifikuar dhe tranzicionit të energjisë.

Gjermania dëshiron të promovojë prodhimin e energjisë së rinovueshme në Afrikë dhe zhvillimin e ekonomive lokale të energjisë së rinovueshme për të kontribuar në strategjinë e saj kombëtare të energjisë së rinovueshme.

Ndërsa Kina ka qasje tek lëndët e para si kobalti i cili përdoret në bateritë e automjeteve elektrike, kompanitë gjermane nuk kanë qasje të drejtpërdrejtë në minerale të tilla kritike.

Për më tepër, vendi planifikon të shfrytëzojë mundësitë e investimeve private në Afrikë, veçanërisht në fushën e infrastrukturës dhe energjisë. Prania e kompanive të rëndësishme të infrastrukturës dhe energjisë forcon ndikimin e Gjermanisë dhe i jep asaj një rol udhëheqës midis vendeve të BE-së të cilat janë të interesuara për kontinentin.

- Gjermania planifikon të ndajë mbështetje buxhetore për vendet afrikane

Derisa shumë vende afrikane bëhen më të varura nga Kina për sa i përket kredive, ka shqetësime se kjo barrë e kredisë së vendeve afrikane pengon investimet e nevojshme urgjente.

Gjermania planifikon ta bëjë më të lehtë pagesën e borxheve për vendet afrikane duke ofruar mbështetje buxhetore.

Në lidhje me migracionin, vendi planifikon të bëjë një ndryshim të qartë të strategjisë. Strategjia e re do të fokusohet në mbështetjen e opsionit të imigracionit të ligjshëm nga vendet afrikane në të ardhmen.

Lidhur me këtë, qendrat këshillimore në vendet afrikane do të kthehen në “qendra migrimi dhe zhvillimi” që do të fokusohen në “migrimin e rregullt të punëtorëve drejt Gjermanisë dhe Evropës”. Kjo do të kontribuojë në zhvillimin e zbatimit të Aktit të Imigrimit të Aftësive.

Kontinenti afrikan është tri herë më i madh se Evropa dhe 85 herë më i madh se Gjermania për sa i përket sipërfaqes. Kontinenti, i cili përbëhet nga 54 vende, ka 3.000 grupe dhe gjuhë të ndryshme etnike.

Përveç rezervave të pasura të naftës dhe arit, Afrika ka tokat bujqësore më të mëdha në botë dhe më shumë se gjysma e popullsisë së saj prej 1.4 miliardë është nën moshën 30-vjeç.

Popullsia e kontinentit pritet të dyfishohet deri në vitin 2050, por kjo parashikohet të ketë avantazhet dhe sfidat e saj.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.