Gjermania kritikon ashpër ligjin izraelit për dënimin me vdekje për palestinezët
"Kundërshtimi i dënimit me vdekje është parim themelor i politikës gjermane", tha zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius në një deklaratë
Berlin
Gjermania kritikoi sot ashpër ligjin e sapomiratuar të Izraelit për dënimin me vdekje, duke e quajtur atë një hap shqetësues dhe duke paralajmëruar se mund të zbatohet në një mënyrë diskriminuese, transmeton Anadolu.
"Kundërshtimi i dënimit me vdekje është parim themelor i politikës gjermane", tha zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius në një deklaratë.
Ai tha se Gjermania e kupton që Izraeli ka ndërmarrë "masa të ashpra kundër terrorizmit që nga 7 tetori", por shtoi se Berlini e sheh ligjin e ri "me shqetësim të madh".
"Qeveria është e shqetësuar se një ligj i tillë ka të ngjarë të zbatohet ekskluzivisht për palestinezët në territoret palestineze", tha Kornelius duke shtuar se "Prandaj, shpreh keqardhje për vendimin e Knessetit (Parlamentit izraelit) dhe nuk mund ta mbështesë atë".
Parlamenti i Izraelit miratoi ligjin të hënën, duke e bërë dënimin me vdekje dënimin e paracaktuar për palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar të dënuar për sulme vdekjeprurëse kundër izraelitëve. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu votoi në mbështetje të ligjit.
Sipas ligjit, ekzekutimet do të kryhen me varje nga rojet e burgut të emëruar nga Shërbimi i Burgjeve Izraelite. Të përfshirët në këtë do të kenë anonimitet dhe imunitet ligjor. Legjislacioni gjithashtu urdhëron transferimin e të dënuarve me vdekje në qendra të posaçme paraburgimi dhe kufizimin e vizitave për palët e autorizuara. Takimet me avokatët do të kufizohen në komunikimin me video.
Ligji u lejon gjykatave të japin dënime me vdekje pa kërkesë nga prokurorët dhe nuk kërkon një vendim unanim, duke lejuar vendimet me shumicë të thjeshtë. Ai zbatohet gjithashtu për gjykatat ushtarake që trajtojnë raste që përfshijnë palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe i jep ministrit të Mbrojtjes të drejtën për të paraqitur një mendim para gjykatës.
Masa ndalon apelimet pasi të jepet dënim me vdekje kundër të burgosurve palestinezë.
