Gjermania heq kufizimet për eksportet e armëve në Izrael
Berlini përmend "armëpushim të stabilizuar" në Gaza si arsye për të rifilluar shitjet e armëve
Berlin
Gjermania njoftoi sot se do të heqë kufizimet në eksportet e armëve në Izrael, duke përmendur një "armëpushim të stabilizuar" në Gaza dhe përparimin e fundit diplomatik në rajon, transmeton Anadolu.
Vendimi hyn në fuqi më 24 nëntor dhe e kthen vendin në shqyrtim rast pas rasti të aplikimeve për eksport armësh në Izrael, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, për agjencinë gjermane të shtypit DPA.
Kornelius tha se qeveria e bazoi vendimin e saj në armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit që ka qenë në fuqi që nga 10 tetori dhe "është stabilizuar" në javët e fundit. Ai gjithashtu vuri në dukje përpjekjet drejt një paqeje të qëndrueshme dhe rritjes së ndihmës humanitare në Gaza.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, urdhëroi kufizimet më 8 gusht, duke ndaluar miratimin e eksporteve të armëve që mund të përdoren në luftën e Gazës. Vendimi erdhi në përgjigje të njoftimit të Izraelit për një ofensivë tokësore në shkallë të plotë dhe ndalimin e dërgesave të ndihmës në Gaza.
Eksportet e armëve të Gjermanisë në Izrael kanë qenë prej kohësh të diskutueshme dhe objekt i sfidave ligjore nga grupet e të drejtave të njeriut dhe banorët e Gazës.
Qendra Evropiane për të Drejtat Kushtetuese dhe të Njeriut (ECCHR), e cila mbështeti paditësit në veprimet e tyre ligjore, ka thënë vazhdimisht se autorizimi i Berlinit për eksportet e armëve në Izrael shkeli marrëveshjet ndërkombëtare që Gjermania nënshkroi, përfshirë Konventën e Gjenevës për parandalimin dhe ndëshkimin e krimit të gjenocidit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
