Bota

Gjermania e "tronditur" nga sulmi izraelit me raketa ndaj kompanisë mediatike palestineze në Gaza

"Lajmi për bombardimet dhe vrasjen e dy personave, përfshirë një fëmijë 8-vjeçar, është thellësisht tronditës", tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Kathrin Deschauer

Oliver Towfigh Nia  | 20.10.2025 - Përdıtësım : 20.10.2025
Gjermania e "tronditur" nga sulmi izraelit me raketa ndaj kompanisë mediatike palestineze në Gaza

Berlin

Gjermania është "e tronditur" nga sulmi vdekjeprurës raketor izraelit në Gaza, i cili vrau një fëmijë dhe një punonjës të një kompanie prodhimi që punonte për transmetuesin publik gjerman ZDF, transmeton Anadolu.

"Lajmi për bombardimet dhe vrasjen e dy personave, përfshirë një fëmijë 8-vjeçar, është thellësisht tronditës", tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Kathrin Deschauer në një konferencë për mediat në Berlin.

Ajo shtoi se është "e rëndësishme të hetohet" sulmi vdekjeprurës i Izraelit. Deschauer tha se punonjësit e ndihmës humanitare, gazetarët, punonjësit e shpëtimit dhe civilët "janë natyrshëm nën mbrojtje të veçantë".

Ambientet e kompanisë së prodhimit Palestine Media Production (PMP) në Deir el Balah, në jug të Gazës, u goditën nga një raketë të dielën pasdite. Kompania ka punuar për dekada me studion ZDF në Tel Aviv.

Një inxhinier 37-vjeçar nga kompania dhe djali 8-vjeçar i një punonjësi tjetër u vranë në sulm. Një tjetër anëtar i stafit të PMP, i paidentifikuar, 31-vjeç u plagos. Imazhet e bëra pas sulmit tregojnë se furgoni i transmetimit SNG (mbledhja e lajmeve satelitore) si dhe automjetet e ekipit u shkatërruan gjithashtu.

Duke reaguar ndaj sulmit izraelit, kryeredaktorja e ZDF-së, Bettina Schausten tha se "Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre, të cilëve u shprehim ngushëllimet tona më të thella. Është e papranueshme që profesionistët e medias sulmohen ndërsa kryejnë punën e tyre".

Mbi 250 gazetarë janë vrarë në Rripin e Gazës, më shumë se në çdo konflikt tjetër në kohët moderne.

Që nga tetori i vitit 2023, lufta gjenocidale e Izraelit ka vrarë më shumë se 68 mijë palestinezë në enklavë dhe ka plagosur më shumë se 170 mijë të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın