Gjermania dënon ofensivën ushtarake të Izraelit për pushtimin e qytetit të Gazës
"Ofensiva e rinovuar drejt qytetit të Gazës është plotësisht rruga e gabuar në këtë drejtim. Ne e hedhim poshtë këtë dhe ia kemi bërë të qartë qeverisë izraelite", tha Wadephul

Berlin
Gjermania të martën dënoi ofensivën ushtarake të Izraelit për të pushtuar qytetin e Gazës dhe paralajmëroi se çdo plan për të aneksuar territoret palestineze do të përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare, transmeton Anadolu.
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul tha në një konferencë për media në Berlin se Gjermania është thellësisht e shqetësuar për zhvillimet e fundit dhe kundërshton fuqimisht vendimin e qeverisë izraelite për të nisur ofensivë të madhe tokësore që shënjestron qytetin e Gazës.
"Ofensiva e rinovuar drejt qytetit të Gazës është plotësisht rruga e gabuar në këtë drejtim. Ne e hedhim poshtë këtë dhe ia kemi bërë të qartë qeverisë izraelite", u tha Wadephul gazetarëve. Ai përsëriti thirrjen e tij për Izraelin dhe aktorët rajonalë që të ndjekin negociatat për armëpushim dhe të arrijnë marrëveshje për lirimin e pengjeve.
Kryediplomati gjerman theksoi se Berlini do ta rivlerësojë vazhdimisht situatën nën dritën e zhvillimeve të mëtejshme në Rripin e Gazës dhe mbi përpjekjet e mundshme të aneksimit të Bregut Perëndimor nga Izraeli.
"Qëndrimi ynë për të dyja rastet është shumë i qartë. Aneksimet janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe do të kërkonin përgjigje politike nga ne", tha ai.
I pyetur lidhur me raportin historik të së martës të një komisioni të pavarur të OKB-së, i cili arriti në përfundimin se autoritetet izraelite kryen gjenocid në Gaza, Wadephul u përgjigj me kujdes, duke thënë se Gjermania do të priste vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për këtë çështje.
"Çështjet e ngritura në raport janë aktualisht objekt i procedurave para gjykatave ndërkombëtare. Dhe për këtë arsye, si përfaqësues i degës ekzekutive, them se i takon gjykatës të vendosë për akuzat", tha ai, por i quajti incidentet e përshkruara në raport jashtëzakonisht shqetësuese.
"Në konfliktet e armatosura, të gjitha palët janë të detyruara nga e drejta ndërkombëtare humanitare. Për t'i dhënë fund vuajtjeve në Gaza, është thelbësore, nga perspektiva jonë dhe ne e kemi theksuar vazhdimisht këtë që më në fund të arrihet një armëpushim, që popullsia të marrë ndihmë të mjaftueshme humanitare dhe që pengjet të lirohen", tha ai.