Bota

Gjermania do të zgjasë kontrollet kufitare kontroverse

"Kontrollet kufitare po dëshmohen efektive dhe ne synojmë ta ruajmë këtë efektivitet. Prandaj, kontrollet kufitare do të vazhdojnë, së bashku me refuzimet në kufi", tha ministri gjerman

Ayhan Şimşek  | 07.08.2025 - Përdıtësım : 08.08.2025
Gjermania do të zgjasë kontrollet kufitare kontroverse

Berlin

Ministri gjerman i Punëve të Brendshme, Alexander Dobrindt, ka bërë të ditur se Gjermania do të zgjasë kontrollet kufitare nga muaji shtator për të frenuar migrimin e paligjshëm, transmeton Anadolu.

"Kontrollet kufitare po dëshmohen efektive dhe ne synojmë ta ruajmë këtë efektivitet. Prandaj, kontrollet kufitare do të vazhdojnë, së bashku me refuzimet në kufi", tha Dobrindt për "Table Media".

Kontrollet kufitare të Gjermanisë në zonën Schengen pa pasaporta të Bashkimit Evropian (BE), të cilat u kritikuan nga fqinjët e saj, fillimisht ishin planifikuar të skadonin në mesin e shtatorit. BE-ja u lejon vendeve anëtare të vendosin kontrolle kufitare të përkohshme vetëm në situata të jashtëzakonshme.

Dobrindt, një aleat konservator i kancelarit Friedrich Merz, këmbënguli se masa të tilla janë të nevojshme derisa të arrihet një zgjidhje në të gjithë BE-në për migracionin dhe kufijtë e jashtëm të BE-së të sigurohen në mënyrë efektive kundër hyrjeve të paautorizuara.

"Nuk jemi vetëm me masat tona të mbrojtjes së kufijve dhe refuzimet në kufi, shumë nga partnerët tanë evropianë po zbatojnë masa të ngjashme në të njëjtën masë dhe ka një marrëveshje që ky instrument duhet të ekzistojë për një kohë. Ne do të vazhdojmë t'i mbajmë këto masa, të mbajmë në vend kontrollet kufitare dhe refuzimet përtej shtatorit", shtoi ai.

Gjatë fushatës së tyre zgjedhore në muajin shkurt, kristian-demokratët konservatorë të kancelarit Merz premtuan masa të rrepta për të frenuar migracionin e parregullt. Pasi formuan një qeveri koalicioni në muajin maj, ata zbatuan kontrolle kufitare më gjithëpërfshirëse me vendet fqinje, pavarësisht se këto vende janë anëtare të BE-së.

Kontrollet kufitare të Gjermanisë kanë krijuar tensione veçanërisht me fqinjin e saj lindor, Poloninë. Në përgjigje, qeveria polake zbatoi kontrolle të përkohshme kufitare reciproke muajin e kaluar. Politikanët kryesor polakë e kanë akuzuar Gjermaninë se po shtyn migrantët nga territori gjerman në Poloni.

Gjatë fundjavës, qeveria polake njoftoi se do të zgjasë kontrollet e saj të përkohshme kufitare me Gjermaninë dhe Lituaninë deri më 4 tetor.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.