Gjermania do të sigurojë 500 milionë dollarë për programin e mbështetjes së NATO-s për Ukrainën
- "Gjermania është gati të financojë një nga paketat e para të ndihmës ushtarake me një vlerë prej 500 milionë dollarësh", tha Ministria gjermane e Mbrojtjes

Vjenë
VJENË (AA) - Gjermania njoftoi gatishmërinë e saj për të financuar me aleatët e saj të tjerë, një paketë ndihme ushtarake me vlerë 500 milionë dollarë në kuadër të "Listës së Nevojave Prioritare për Ukrainën" (PURL) të NATO-s, transmeton Anadolu.
Ministria gjermane e Mbrojtjes lëshoi një deklaratë me shkrim në lidhje me programin "PURL".
"Gjermania është gati të financojë, me aleatët e tjerë të saj, një nga paketat e para gjithëpërfshirëse të ndihmës ushtarake në kuadër të programit PURL, me një vlerë totale prej 500 milionë dollarësh", thuhet në deklaratë.
Po ashtu në deklaratë u falënderua SHBA-ja për gatishmërinë e tyre për të vazhduar furnizimin me armë dhe municione për Ukrainën dhe u theksua se vendimi i Gjermanisë për të marrë pjesë në këtë iniciativë forcon ndjeshëm mbështetjen e saj për Ukrainën.
Më tej u vu në dukje se qeveria është në konsultim të ngushtë me NATO-n dhe aleatët e saj mbi detajet.