Gjermania dhe Franca paralajmërojnë kundër përshkallëzimit të konfliktit me Iranin
Gjermania dhe Franca janë “të shqetësuara” për luftën në Iran dhe po bëjnë thirrje për “fundin e armiqësive”
Gjermania dhe Franca paralajmëruan të mërkurën kundër një përshkallëzimi të luftës në Iran, transmeton Anadolu.
"Pavarësisht qëndrimit tonë të qartë ndaj këtij regjimi (iranian), askush nuk ka interes ta shohë këtë konflikt të armatosur të përshkallëzohet më tej", tha Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul ,në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij francez Jean-Noël Barrot në Berlin.
Kjo luftë ka "potencial real përshkallëzimi, jo vetëm brenda rajonit, por edhe në të gjithë botën", tha Wadephul, duke kërkuar shtimin e përpjekjeve diplomatike për të ndihmuar në uljen e tensionit në konfliktin e Iranit.
"Në përgjithësi, tani përballemi me një sfidë të madhe: së bashku me partnerët tanë, Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, duhet të përpiqemi të identifikojmë një pikë në të cilën objektivat ushtarake të vendosura nga këto dy vende janë arritur dhe nga e cila mund të ecim drejt uljes së tensionit dhe një zgjidhjeje të armiqësive...", shtoi ai.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, i bëri jehonë vërejtjeve të Wadephul mbi rrezikun potencial në rritje të luftës së Iranit.
“Duhet t’i japim fund përshkallëzimit ushtarak; është i rrezikshëm. Është jashtë kontrollit, por që kjo të ndodhë, regjimi iranian duhet të bëjë lëshime dhe të ndryshojë rrënjësisht qëndrimin e tij në mënyrë që të dalë një zgjidhje politike që lejon bashkëjetesën paqësore të Iranit me fqinjët e tij rajonalë…”, tha Barrot.
Gjermania dhe Franca janë “të shqetësuara” për luftën në Iran dhe po bëjnë thirrje për “fundin e armiqësive”, shtoi ai.
Wadephul dhe Barrot thanë të martën se janë të gatshëm t’u ofrojnë SHBA-së dhe Izraelit mbështetje për një zgjidhje politike në rajon pas përfundimit të armiqësive në luftën e Iranit.
SHBA-ja, së bashku me Izraelin, nisën sulme ndaj Iranit më 28 shkurt, duke braktisur bisedimet mbi programin bërthamor nën ndërmjetësimin e Omanit.
Operacioni filloi me pretekstin e shkatërrimit të programit bërthamor të Iranit dhe heqjes së kërcënimeve nga “regjimi iranian”. Sulmet e vazhdueshme që atëherë kanë vrarë udhëheqësin suprem dhe shumë figura të tjera politike dhe ushtarake të profilit të lartë.
Teherani, duke refuzuar të dorëzohet, është hakmarrë duke shënjestruar Izraelin, si dhe Irakun dhe shtetet e Gjirit që strehojnë baza amerikane, duke ndikuar në tregjet globale dhe aviacionin. Gjithashtu ka bllokuar në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore kyçe për dërgesat e naftës, duke rritur çmimet.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
