Gjermania: BE-ja duhet të bjerë dakord për asetet e ngrira ruse për të forcuar pozicionin e Ukrainës
Kancelari Merz tha se udhëheqësit e BE-së duhet të arrijnë një marrëveshje jo më vonë se dhjetori për të forcuar pozicionin negociues të Ukrainës kundër Rusisë
Berlin
Kancelari gjerman Friedrich Merz u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që të arrijnë një marrëveshje deri muajin e ardhshëm për përdorimin e aseteve të ngrira ruse, me qëllim forcimin e pozitës së Ukrainës në negociatat e mundshme me Moskën për t’i dhënë fund luftës, raporton Anadolu.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin estonez Kristen Michal në Berlin, Merz tha se evropianët i shohin pozitivisht përpjekjet e SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por theksoi se Kievi nuk duhet të detyrohet të bëjë lëshime territoriale të njëanshme dhe duhet të ketë garanci të besueshme sigurie nga partnerët e tij perëndimorë.
“Ne duam të vazhdojmë rritjen e presionit ndaj Rusisë së bashku me partnerët tanë evropianë dhe transatlantikë, në mënyrë që Rusia më në fund të ulet në tryezën e negociatave dhe të jetë e gatshme të angazhohet në bisedime”, tha Merz.
Ai u kujtoi gazetarëve për propozimin e tij që të përdoren 140 miliardë euro nga asetet e bllokuara ruse për të forcuar kapacitetet ushtarake të Ukrainës.
“Ne duam t’i shfrytëzojmë edhe më shumë këto asete për të mbështetur Ukrainën. Paraqita një propozim në këtë drejtim në shtator. Ky propozim u mor nga Komisioni Evropian dhe mbështetet gjithashtu nga shumica dërrmuese e vendeve të BE-së”, tha Merz.
“Ne të dy pajtohemi se duhet të arrijmë shpejt një marrëveshje të përshtatshme, më së voni deri në samitin e udhëheqësve të BE-së në dhjetor, për të forcuar pozicionin tonë negociues dhe për të dërguar një sinjal tjetër solidariteti dhe mbështetjeje për Ukrainën”, shtoi ai.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
