Gjermani, zjarri në qendrën kërkimore vonon projektin e madh të përshpejtuesit të grimcave
Zjarri i madh në një qendër kryesore kërkimore në Darmstadt i detyroi zyrtarët të shtyjnë për një kohë të pacaktuar fazën e testimit të përshpejtuesit të ri të grimcave
Berlin
Një zjarr i madh në një qendër kërkimore në Gjermaninë perëndimore ka detyruar autoritetet të shtyjnë pa afat fazën e testimit të një përshpejtuesi grimcash me vlerë një miliard euro, thanë zyrtarët, transmeton Anadolu.
Zjarri shpërtheu herët në mëngjes në Qendrën Helmholtz GSI për Kërkime me Jone të Rënda në Darmstadt, duke shkaktuar një reagim të madh nga zjarrfikësit. Një re e madhe tymi u pa nga disa kilometra larg.
Christian Wagner, menaxher i operacioneve të shërbimit zjarrfikës të Darmstadtit, u tha mediave lokale se ekipet reaguan shpejt pasi morën njoftimin rreth orës 6:30 të mëngjesit sipas kohës lokale. Rreth 130 zjarrfikës dhe 30 punonjës shtesë të shërbimeve të emergjencës u angazhuan për shuarjen e flakëve.
“Për fat të mirë, deri tani nuk kemi asnjë viktimë”, tha Wagner.
Sipas transmetuesit rajonal HR, zjarri përfshiu një sallë industriale ku u dogjën zyra dhe pajisje teknike.
Mbetet e paqartë se në çfarë mase është prekur përshpejtuesi linear “Unilac”, një përshpejtues grimcash për jone të rënda. Ky përshpejtues linear është një komponent i rëndësishëm i përshpejtuesit të ri të grimcave FAIR me vlerë një miliard euro, i cili aktualisht po ndërtohet në kompleksin e GSI-së.
Timon Gremmels, ministër i Shkencës i landit të Hessenit, e quajti zjarrin “një ditë të zezë” dhe tha se faza e testimit e planifikuar për dhjetor nuk do të mund të zhvillohet dhe është shtyrë pa afat. Projekti synonte të sillte njohuri të reja mbi strukturën e materies dhe evolucionin e universit, nga Big Bengu deri në ditët e sotme.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
