Bota

Gjermani, viktimat e grabitjes së bankës do të ndërmarrin veprime ligjore

Figen Ozer, një avokate që përfaqëson viktimat e grabitjes së Bankës Sparkasse, theksoi se kanë filluar procedurat ligjore në lidhje me grabitjen dhe dha informacion mbi masat paraprake që viktimat duhet të marrin

Mesut Zeyrek  | 07.01.2026 - Përdıtësım : 07.01.2026
Gjermani, viktimat e grabitjes së bankës do të ndërmarrin veprime ligjore Foto: Mesut Zeyrek / AA

Gelsenkirchen

MESUT ZEYREK

Figen Ozer, një avokate që përfaqëson viktimat e grabitjes së Bankës Sparkasse në qytetin Gelsenkirchen, në North Rhine-Westphalia (NRW) në Gjermani, ku u vodhën afërsisht 3.300 kasaforta pas një çarjeje në mur, tha se do të ndërmarrin veprime ligjore për të rikuperuar humbjet e viktimave.

Në një deklaratë për Anadolu, Ozer theksoi se ata kanë filluar procedurat ligjore në lidhje me grabitjen dhe dha informacion mbi masat paraprake që viktimat duhet të marrin.

Ozer vuri në dukje se shumë qytetarë turq janë midis viktimave të grabitjes së Bankës Sparkasse Bank, e cila ndodhi gjatë festave të Krishtlindjeve (27-28 dhjetor), dhe i paralajmëroi viktimat të shmangin nënshkrimin e çdo kontrate ose marrëveshjeje për të parandaluar çdo humbje të të drejtave.

Duke tërhequr vëmendjen te hapat që viktimat e grabitjes së bankës duhet të ndërmarrin gjatë betejës së tyre ligjore, Ozer u shpreh: "Para së gjithash, viktimat duhet të shqyrtojnë me kujdes kontratat që kanë si me bankën ashtu edhe me kompanitë e sigurimeve. Ata nuk duhet të nënshkruajnë asnjë marrëveshje me bankat ose kompanitë e sigurimeve. Nëse kanë prova të tilla si regjistrime video, fotografi, deklarata dëshmitarësh, fatura ose procesverbale, ata patjetër duhet t'i ruajnë ato. Mund të ndërmerren veprime ligjore me këto prova".

Pasi shpejgoi se ata pritën pak kohë pas grabitjes, por as banka dhe as ndonjë politikan apo zyrtar nuk ndërmorën ndonjë hap pozitiv ndaj viktimave, Ozer deklaroi se për këtë arsye ata kanë formuar një ekip për t'u përgatitur për betejën ligjore.

Ozer tha se ata parashikojnë që banka të mbrohet në gjykatë duke pretenduar se kishte marrë masa të mjaftueshme sigurie. "Nëse në këto zona mund të hyjnë vetëm personeli i autorizuar ose ata që kanë çelësa, brava dhe fjalëkalime, atëherë aktualisht këtu bëhet fjalë për një mangësi, përgjegjësi", shtoi ajo.

Ersin Eliyazıcı, i cili ka lindur dhe është rritur në Gelsenkirchen dhe është viktimë e grabitjes së bankës, në lidhje me ngjarjet deklaroi se:

"Në këtë grabitje, ari dhe paratë që kishim kursyer prej vitesh u zhdukën brenda një nate. Banka ka deklaruar se siguria ishte në nivelin më të lartë, por ajo që ka ndodhur tregon se nuk është kështu. Është e pabesueshme që incidente të tilla të ndodhin në Gjermani. Autorët morën arin dhe u larguan sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Tani do të presim dhe do të shohim se çfarë do të tregojë koha".

Eliyazıcı, theksoi se shumica e viktimave janë turq që jetojnë në rajon dhe kërkoi ndihmë nga autoritetet për të adresuar ankesat e tyre në mënyrë që të mos viktimizohen.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.