Gjenden 20 trupa të tjerë të palestinezëve në veri të Rripit të Gazës
Sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza, nga rrënojat janë nxjerrë të paktën 488 trupa pas armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit
Gaza
Trupat e pajetë të 20 personave u gjetën në një fushë të zbrazët në Rripin e Gazës në të cilën u arrit armëpushim pas sulmeve të Izraelit që vazhduan për më shumë se 15 muaj, raporton Anadolu.
Një punonjës i Mbrojtjes Civile i përfshirë në përpjekjet për heqjen e rrënojave tha për AA-në se eshtrat e 20 personave të vrarë në sulme u gjetën pranë një shkolle që përdorej si qendër refugjatësh dhe që u shkatërrua nga ushtria izraelite në qytetin Sheikh Zayed në veri të Rripit të Gazës.
Zyrtari i Mbrojtjes Civile tha se trupat e palestinezëve u gjetën në mesin e grumbujve të rërës në një fushë të zbrazët, duke shtuar se disa prej trupave ishin dekompozuar dhe disa ishin në formën e grumbujve të eshtrave.
Punonjësi i Mbrojtjes Civile vuri në dukje se identitetet e palestinezëve të ekzekutuar dhe të varrosur këtu nga ushtria izraelite, nuk janë përcaktuar ende.
Që kur marrëveshja e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza hyri në fuqi të dielën më 19 janar, dhjetëra trupa janë nxjerrë çdo ditë nga rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga sulmet e Izraelit para armëpushimit.
Sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza, nga rrënojat janë nxjerrë të paktën 488 trupa pas armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit.
