Gjashtë anije greke i bashkohen flotiljes globale për të thyer bllokadën izraelite ndaj Gazës
Në bord janë 26 aktivistë grekë dhe 20 mbështetës ndërkombëtarë që lundrojnë për t’u bashkuar me flotiljen që shkon për në Gaza

Ankara
Gjashtë anije greke që transportojnë dhjetëra aktivistë janë nisur sot në Detin Egje për t'u bashkuar me Flotiljen Globale "Sumud", një iniciativë ndërkombëtare që sfidon bllokadën e Izraelit ndaj Gazës, transmeton Anadolu.
Komiteti Ndërkombëtar për Thyerjen e Rrethimit Izraelit të Gazës në platformën sociale të kompanisë amerikane X njoftoi se në bord janë 26 aktivistë grekë dhe 20 mbështetës ndërkombëtarë që lundrojnë për t'u bashkuar me flotiljen që shkon për në Gaza.
Dy anije të tjera, theksoi komiteti, do të shfaqen së shpejti në sistemin ndërkombëtar të gjurmimit.
Dje, Flotilja Globale "Sumud" tha se shumë anije që u nisën nga Spanja, Tunizia dhe Libia kanë arritur pranë Siçilisë jugore, duke u bashkuar me anijet italiane që prisnin mbërritjen e tyre.
Gjurmuesi zyrtar i flotiljes tregoi mbi 40 anije të pranishme në Siçilinë jugore, ndërsa gjashtë anijet greke janë ende në rrugë për t'u bashkuar me to, duke e çuar numrin total të anijeve që shkojnë në Gaza në 50.
Të martën, Komiteti Ndërkombëtar për Thyerjen e Rrethimit Izraelit të Gazës tha se të gjitha anijet do të nisen së bashku drejt brigjeve të Gazës, pasi të mblidhen pranë Maltës.
Flotilja aktuale është më e madhja e këtij lloji që synon të sfidojë bllokadën dhe të ofrojë ndihmë humanitare për palestinezët në Gaza, ku kushtet e urisë kanë mbizotëruar për shkak të mbylljes disamujore të të gjitha kalimeve nga Izraeli.
Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite në Gaza ka vrarë të paktën 65.100 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme e kanë kthyer enklavën në të pabanueshme, si dhe kanë çuar në uri dhe përhapje të sëmundjeve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.