Turqia, Bota

Gazetarët afrikanë ndjekin nga afër lajmet e AA-së dhe TRT-së

"Agjencia jonë e lajmeve është në bashkëpunim me AA dhe TRT. Nga AA marrim lajmet jo vetëm në lidhje me Somalinë por për të gjithë botën", tha Ismael Mukhtar Omar, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Somalisë (SONNA)

Gökhan Kavak  | 27.05.2022 - Përdıtësım : 30.05.2022
Gazetarët afrikanë ndjekin nga afër lajmet e AA-së dhe TRT-së

Stamboll

Gazetarët afrikanë që morën pjesë në Samitin e Medias Turqi-Afrikë thanë se ndjekin nga afër lajmet e publikuara nga TRT dhe Anadolu Agency (AA).

Në samitin e mbajtur në Stamboll nga Drejtoria e Komunikimeve të Presidencës së Turqisë, krahas 80 gazetarëve nga 45 vende të Afrikës, morën pjesë diplomatë, akademikë dhe përfaqësues nga sektori privat dhe organizatat e shoqërisë civile.

Në samit u synua forcimi i bashkëpunimit mes gazetarëve turq dhe afrikanë, ndarja e përvojës dhe zhvillimi i perspektivës së partneritetit.

Ismael Mukhtar Omar, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Somalisë (SONNA), në një deklaratë për AA lidhur me samitin dhe marrëdhëniet e Turqisë me vendet e Afrikës tha se "Agjencia jonë e lajmeve është në bashkëpunim me AA dhe TRT. Nga AA marrim lajmet jo vetëm në lidhje me Somalinë por për të gjithë botën".

"Turqia është vendi i parë që ka ardhur në Somalinë e cila lufton me krizat dhe ky hap është shumë me vlerë për somalezët", tha Omar duke shtuar se si gazetarë të medias afrikane ndjekin nga afër lajmet e AA-së dhe TRT-së.

Ai tërhoqi vëmendjen se në samit morën pjesë gazetarë të mediave nga shumë vende të Afrikës. "Në samit jo vetëm gazetarët somalezë dhe turq, por edhe gazetarët afrikanë patën mundësinë të njihen me njëri-tjetrin. Për shembull unë u njoha me një gazetar nigerian dhe krijova lidhje dhe shkëmbyem pikëpamjet", tha Omar.

- "AA dhe TRT ofrojnë një rrjedhë të rëndësishme lajmesh"

Gjatë samitit, anëtarë të mediave nga Turqia dhe vende të ndryshme të Afrikës shkëmbyen përvoja dhe mendime.

Abdullah Adinani Myusa, nga gazeta "Daily News" e Tanzanisë, vuri në dukje se Samiti i Medias Turqi-Afrikë është shumë i rëndësishëm jo vetëm në fushën e medias por edhe në aspektin e zhvillimit të marrëdhënieve në fushën e politikës.

"Shpreh falënderimet e mia që jam ftuar në këtë samit. AA dhe TRT ofrojnë një rrjedhë të rëndësishme lajmesh. Këto lajme të përgatitur në zgjerimin afrikan të Turqisë, sigurojnë një kontribut të rëndësishëm", tha Myusa.

Ai tha se e viziton për herë të parë Turqinë dhe se dëshiron ta shohë nga afër vendin dhe se është shumë i lumtur që është ftuar në samit.

Ndërkohë edhe gazetari nga Guineja, Ibrahim Kamara tha se në samit ka marrë informacione të rëndësishme për Turqinë dhe Afrikën.

"Ky samit është i rëndësishëm sepse në Afrikë ka gjëra shumë të bukura por që gazetarët nuk i ndajnë këto dhe ndajnë ngjarjet e këqija. Punimet e medias turke në Afrikë janë shumë të rëndësishme në këtë aspekt", deklaroi Kamara.

"Pavarësisht se vendet afrikane nuk janë shumë të fuqishme në disa aspekte, ato kanë pasuri nëntokësore dhe mbitokësore", theksoi Kamara duke nënvizuar se në vendin e tij ka burime të çmuara si ari, boksiti dhe diamante por që këto nuk promovohen shumë.

Ai potencoi se ky samit është një hap i rëndësishëm në procesin e përparimit të marrëdhënieve të Turqisë me vendet e Afrikës. "Duhet ta njohim njëri-tjetrin, Turqia është një vend i madh në aspektin ekonomik dhe kontinenti i Afrikës ka gjëra me vlerë. Ky samit mund të jetë një hap i rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve tona në këtë fushë", tha Kamara.

- Hapi i bashkëpunimit me Nigerinë në fushën e medias

Në ditën e parë të samitit mes AA-së dhe Agjencisë së Lajmeve të Nigerisë (NAN) u nënshkrua marrëveshje bashkëpunimi me qëllim zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e medias.

Drejtori i përgjithshëm i NAN, Buki Ponle tha se me AA-në kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi dhe se ky është hap i rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

"Marrëveshja e nënshkruar është një zhvillim i bukur sepse me këtë hap zhvillojmë jo vetëm marrëdhëniet mes dy agjencive por edhe marrëdhëniet mes Nigerisë dhe Turqisë. Marrëdhëniet tona zhvillohen çdo ditë gradualisht. Ne kemi probleme dhe qëllime të përbashkëta", deklaroi Ponle.

Ai vuri në dukje se qasja në informacion të drejtë dhe informimi i qytetarëve është i rëndësishëm. "Duhet të informojmë popujt tanë, në të kundërt informacionet mund të manipulohen. Për këtë arsye Anadolu Agency dhe Agjencia e Lajmeve e Nigerisë morën vendim për të punuar së bashku dhe nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim. Gjithashtu në këtë kontekst u mbajt dhe ky samit", tha Ponle.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın