Gaza, 22 të vrarë në sulmet e fundit izraelite, 12 duke pritur ndihmë humanitare
Tre anëtarë të së njëjtës familje u vranë dhe të tjerë u plagosën kur një dron izraelit hodhi një bombë mbi tendat me familje të zhvendosura.

Ankara
Të paktën 22 palestinezë u vranë sot në mëngjes në një seri sulmesh ajrore dhe të shtënash izraelite në gjithë Rripin e Gazës, përfshirë 12 persona që prisnin ndihmë humanitare, transmeton Anadolu.
Sipas burimeve mjekësore, 12 trupa u transferuan në Spitalin Al-Shifa në Qytetin e Gazës pasi forcat izraelite hapën zjarr në zonën e shpërndarjes së ndihmave përgjatë Korridorit Netzarim.
Në qytetin Al-Zawaida, një sulm ajror izraelit shënjestroi një shtëpi familjare, duke vrarë pesë anëtarë të së njëjtës familje, përfshirë tre fëmijë.
Ndërkohë, tre anëtarë të së njëjtës familje u vranë dhe të tjerë u plagosën kur një dron izraelit hodhi një bombë mbi tendat me familje të zhvendosura pranë Kryqëzimit Industrial në veri të Khan Younisit.
Dy gra të tjera u vranë në një sulm ndaj një tende në veriperëndim të Khan Younisit.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka kryer një ofensivë brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë më shumë se 60.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme e kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesa të mëdha ushqimi dhe vdekje nga uria.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.