Bota

Gaza, 2 fëmijë midis 5 banorëve të vrarë në sulmet izraelite pas kërcënimit të Netanyahut

Sulmet erdhën menjëherë pasi Netanyahu kërcënoi të "përgjigjej në përputhje me rrethanat" ndaj lëndimit të ushtarëve në përleshjet me luftëtarët palestinezë në Rafah

Betül Yılmaz  | 04.12.2025 - Përdıtësım : 04.12.2025
Gaza, 2 fëmijë midis 5 banorëve të vrarë në sulmet izraelite pas kërcënimit të Netanyahut Foto: Hani Alshaer/AA

Gaza/Stamboll

Pesë palestinezë janë vrarë dhe disa të tjerë u plagosën mbrëmë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës jugore, në një shkelje të re të një marrëveshjeje armëpushimi.

Burime mjekësore për Anadolu, konfirmuan se dy fëmijë ishin midis viktimave në sulmet që shënjestruan tendat që strehonin civilët e zhvendosur në një kamp refugjatësh në zonën Al-Mawasi të Khan Younis. Disa tenda u përfshinë nga flakët pas sulmeve.

Sulmet erdhën menjëherë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kërcënoi të "përgjigjej në përputhje me rrethanat" ndaj lëndimit të ushtarëve në përleshjet me luftëtarët palestinezë në Rafah.

Më herët, ushtria izraelite tha se pesë ushtarë u plagosën në një shkëmbim zjarri me luftëtarët palestinezë që dyshohet se dolën nga tunelet nëntokësore në Rafah lindore.

Ushtria izraelite pretendoi se sulmet kishin në shënjestër një zyrtar të lartë të Hamasit në Rafah.

Sipas raporteve të medias izraelite, ka rreth 200 luftëtarë të Hamasit që janë bllokuar brenda tuneleve nëntokësore në Rafah dhe Tel Avivi ende nuk i është përgjigjur kërkesave të Hamasit dhe ndërmjetësve për t'u lejuar atyre kalimin e sigurt në zonat nën kontrollin e grupit.

Hamasi i denoncoi sulmet izraelite në Khan Younis si "një krim të hapur lufte, një shpërfillje të marrëveshjes së armëpushimit dhe një përpjekje flagrante për t'iu shmangur detyrimeve".

Grupi e mbajti Izraelin plotësisht përgjegjës për pasojat e këtij përshkallëzimi dhe u bëri thirrje ndërmjetësve dhe vendeve garantuese të detyrojnë Netanyahun dhe qeverinë e tij të ndalojnë "krimet" e tyre dhe t'i përmbahen marrëveshjes.

Hamasi më parë ka deklaruar se nuk ka lidhje dhe ka humbur komunikimin me luftëtarët e bllokuar në Rafah, duke pohuar pajtueshmërinë e tij të plotë me marrëveshjen e armëpushimit, e cila hyri në fuqi më 10 tetor.

Faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit përfshin lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë. Plani gjithashtu parashikon rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.

Izraeli ka vrarë të paktën 70 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe ka plagosur gati 171 mijë të tjerë në sulmet në Gaza që nga tetori i vitit 2023.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.