Gaza, 17 palestinezë të vrarë në sulmet e fundit izraelite
Në mesin e viktimave gjenden 3 palestinezë që prisnin ndihmë humanitare ndërsa 73 të tjerë u plagosën kur forcat izraelite hapën zjarr mbi turmat e uritura

Ankara
Të paktën 17 palestinezë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën sot herët në sulmet izraelite me dronë në zona të shumta në gjithë Rripin e Gazës, sipas burimeve mjekësore, transmeton Anadolu.
Pesë palestinezë u vranë në një sulm ajror izraelit në lagjen Shejaiya të Qytetit të Gazës.
Katër palestinezë u vranë dhe katër të tjerë u plagosën kur një dron izraelit bombardoi tendat me civilë të zhvendosur në zonën Al-Mawasi në perëndim të Khan Younisit në Gazën jugore.
Një grua palestineze u vra gjithashtu dhe të tjerë u plagosën kur një sulm izraelit goditi një tendë pranë Stacionit Tiberias në perëndim të Khan Younisit. Më në jug në Khan Younisit, tre palestinezë që prisnin ndihmë humanitare u vranë dhe 73 të tjerë u plagosën kur forcat izraelite hapën zjarr mbi turmën.
Në qytetin Deir al-Balah të Gazës qendrore, katër persona të tjerë u vranë dhe të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit që kishte në shënjestër një zonë banimi. Disa viktima u raportuan gjithashtu në qytetin e Gazës, ku forcat izraelite bombarduan një ndërtesë në lagjen Al-Rimal dhe një shtëpi pranë varrezës "Sheikh Radwan".
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka kryer një ofensivë brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë mbi 60 mijë palestinezë, shumica gra dhe fëmijë. Bombardimet e pandërprera kanë shkatërruar enklavën dhe kanë shkaktuar mungesë të thellë ushqimi.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij ndaj enklavës palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.