Fëmijët në Gaza demonstrojnë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara
Gjatë aktivitetit, u shfaqën pankarta që theksonin të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe nevojën për t’u siguruar atyre një mjedis të sigurt dhe mbështetës nën kushtet e vështira të luftës.
Shkup
Fëmijët palestinezë mbajtën një demonstratë për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara në Deir al-Balah të Rripit të Gazës, raporton Anadolu.
Gjatë aktivitetit, u shfaqën pankarta që theksonin të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe nevojën për t’u siguruar atyre një mjedis të sigurt dhe mbështetës nën kushtet e vështira të luftës.
Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të publikuar në tetor, gati 42.000 njerëz në Rripin e Gazës kanë pësuar lëndime me pasoja të përhershme që nga 7 tetori 2023.
Një në katër të plagosur është fëmijë, ka thënë OBSH-ja, duke vënë në dukje se të paktën 5/000 personave u është dashur t’u nënshtrohen amputimeve.
Lëndimet e rënda përfshijnë më shumë se 22.000 në krahë dhe këmbë, mbi 2.000 lëndime të palcës kurrizore, 1.300 lëndime në tru dhe mbi 3.300 djegie të mëdha, sipas raportit.
Lëndimet komplekse të fytyrës dhe syve, veçanërisht për ata që presin evakuimin, u theksuan gjithashtu si një burim në rritje i aftësisë së kufizuar dhe stigmatizimit.
Raporti paralajmëroi se sistemi shëndetësor i Gazës është në prag kolapsi, me vetëm 14 nga 36 spitale pjesërisht funksionale dhe më pak se një e treta e shërbimeve të rehabilitimit të para luftës në funksion. Pavarësisht mijëra amputimeve, Gaza ka vetëm tetë protetistë të aftë të prodhojnë dhe përshtasin gjymtyrë artificiale, theksoi organizata.
Fuqia punëtore e rehabilitimit është shkatërruar, me të paktën 42 specialistë të vrarë që nga shtatori 2024, tha OBSH-ja.
“Rehabilitimi është i domosdoshëm jo vetëm për shërimin nga traumat, por edhe për njerëzit me sëmundje kronike dhe aftësi të kufizuara” ka thënë Richard Peeperkorn, përfaqësues i OBSH-së në territorin palestinez të pushtuar. Ai ka theksuar se zhvendosja, kequshqyerja dhe mungesa e mbështetjes psikosociale po e rëndojnë edhe më shumë krizën.
Zyra Mediale e Qeverisë së Gazës ka thënë se ushtria ka shkelur armëpushimin rreth 591 herë, duke vrarë 357 persona dhe plagosur 903 të tjerë.
Që nga tetori 2023, ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 70.000 njerëz në Gaza, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur mbi 171.000 të tjerë në ofensivën e saj brutale që gjithashtu e ka lënë enklavën në rrënoja.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
