Fëmijët e rekrutuar me forcë nga organizata terroriste YPG/SDF në Siri tregojnë për AA vuajtjet e tyre
Dy fëmijë sirianë, të rekrutuar me forcë nga YPG/SDF dhe të liruar pas operacioneve të ushtrisë siriane, deklaruan se ka shumë fëmijë të tjerë si ata që janë rekrutuar me forcë në kampet e organizatës terroriste
Hasakah
MUHAMMED KARABACAK
Dy fëmijë sirianë, të rekrutuar me forcë nga YPG/SDF dhe të liruar pas operacioneve të ushtrisë siriane, deklaruan se ka shumë fëmijë të tjerë si ata që janë rekrutuar me forcë në kampet e organizatës terroriste.
Operacioni i ushtrisë siriane kundër YPG/SDF-së e ka rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e fëmijëve të rekrutuar me forcë nga organizata terroriste. Imazhet e publikuara nga organizata që tregojnë të vrarët në përleshjet me forcat siriane zbuluan se YPG/SDF ka rekrutuar një numër të madh fëmijësh.
Bekir Feyiz Beles dhe Husam Ibrahim Casim, dy fëmijë sirianë të rekrutuar me forcë nga organizata terroriste, rrëfyen përvojat e tyre për Agjencinë Anadolu (AA).
Bekir është vetëm 16-vjeç ndërsa Husam është 17-vjeç. Të dy fëmijët, me origjinë arabe, u rrëmbyen dhe më pas u rekrutuan me forcë nga organizata në Ayn al-Arab në Sirinë veriore në dhjetor 2025 ndërsa përpiqeshin të kalonin ilegalisht në Turqi për të punuar.
- "Na dërguan në Hasakah dhe na detyruan të stërviteshim ushtarakisht"
Husam që është nga zona e Munbixhit të Halepit, tha se u ndaluan në kufi nga organizata terroriste YPG/SDF ndërsa përpiqeshin të kalonin ilegalisht në Turqi nga Ayn al-Arab.
Duke shpjeguar se u rekrutuan me forcë pasi u ndaluan në Ayn al-Arab, Husam tha: "Pastaj na dërguan në Hasakah dhe na detyruan të stërviteshim ushtarakisht. Nën detyrimin e armëve na morën gjurmët e gishtërinjve. Na bënë presion dhe na detyruan të stërviteshim. Na dhanë stërvitje politike për një muaj. Na dhanë gjithashtu stërvitje ushtarake për disa ditë".
Husam thekson se kishte shumë fëmijë si ai në kampin ku mbaheshin me detyrimin e armës. "Dy ose tre nga miqtë e mi ishin rreth 25-vjeç. Të tjerët kishin lindur në vitin 2007, 2008 dhe 2009", shtoi ai.
- "Shumica e atyre në kamp ishin nën 18-vjeç"
Husam thotë se anëtarët e grupit i rrahën kur protestuan në kampin ku mbaheshin. "Ne jemi të gjithë fëmijë të fiseve. Ne vepruam së bashku atje dhe protestuam. Ata na shtrinë të gjithëve përtokë dhe filluan të na rrahin", tha ai.
Pasi deklaroi se kaluan kohë të vështira derisa ndodheshin në duart e grupit, Husam tha: "Isha në gjendje shumë të keqe dhe nuk mund të flija. Situata ishte shumë e keqe. Ishte shumë ftohtë. Nuk kishte ujë të nxehtë. Ata as nuk na linin të flinim rehat. Njerëzit që na stërvitën ishin arabë nga Hasakah".
"Kishte edhe kurdë midis tyre. Shumica e atyre në kamp ishin nën 18-vjeç. Shumë prej tyre donin të iknin që andej. Kishte edhe libanezë midis nesh. Një numër i madh i tyre u rrëmbyen dhe u sollën me forcë atje nga grupi", tha ai.
Husam vuri në dukje se pasi ushtria siriane nisi operacion këtë muaj në perëndim dhe lindje të lumit Eufrat, terroristët u larguan nga zona dhe u liruan në atë kohë dhe iu dorëzuan forcave siriane.
- "Për tre ditë na dhanë vetëm bukë dhe domate"
Bekir, një 16-vjeçar që ndau një fat të ngjashëm me Husamin, u rrëmbye gjithashtu nga organizata terroriste në Ayn al-Arab dhe u rekrutua me forcë.
Bekir, është nga qyteti i Homsit të Sirisë dhe pasi u rekrutua me forcë nga organizata u dërgua nga Ayn al-Arab në një kamp në Raka, në lindje të lumit Eufrat, i cili ishte nën pushtimin e YPG/SDF-së deri para operacionit.
Ai tha se pas Rakës, ata u dërguan në Hasan Dervish, i cili ishte nën kontrollin e organizatës, ku organizata u mori me forcë gjurmët e gishtërinjve dhe i vendosi ata në stërvitje nëpër kampe. Bekir tha se ata kaluan ditë të vështira në kampet e stërvitjes së organizatës.
"Atje (në Raka), ata na bënë presion dhe na morën gjurmët e gishtërinjve. Pas Rakës, na çuan në Hasan Dervish. Pastaj na çuan në një akademi të mbrojtjes personale për stërvitje. Hëngrëm drekë dhe pastaj do të shkonim për darkë. Na thanë se nuk kishte darkë dhe ujë. Për tre ditë na dhanë vetëm bukë dhe domate", tha Bekir.
Ai thotë se ata u përpoqën të iknin nga kampi disa herë, por terroristët kërcënuan se do të qëllonin ndaj atyre që përpiqen të ikin. "Ne u përpoqëm të iknim disa herë, por gjithmonë dëgjonim zhurmën e aeroplanëve në qiell. Pikërisht atëherë, anëtarët e organizatës vinin dhe na trembnin, duke kërcënuar se do të qëllonin këdo që përpiqej të largohej nga porta", tha Bekir.
Bekir shtoi se, ashtu si Husami, ai u lirua dhe iu dorëzua forcave siriane pasi anëtarët e organizatës u tërhoqën nga zonat që pushtuan pas operacionit të nisur nga ushtria siriane.
