Bota

Francë, fillon gjyqi ndaj gjigantit të çimentos "Lafarge" për financimin e një organizate terroriste

Në Paris ka filluar gjyqi ndaj gjigantit francez të çimentos "Lafarge", i akuzuar për "financim të një organizate terroriste" në lidhje me aktivitetet e saj në Siri

Esra Taşkın  | 04.11.2025 - Përdıtësım : 04.11.2025
Francë, fillon gjyqi ndaj gjigantit të çimentos "Lafarge" për financimin e një organizate terroriste

Paris

Në Paris ka filluar gjyqi ndaj gjigantit francez të çimentos "Lafarge", i akuzuar për "financim të një organizate terroriste" në lidhje me aktivitetet e saj në Siri, transmeton Anadolu.

Seanca e parë dëgjimore në gjyq, në të cilin "Lafarge" po gjykohet për "financim të një organizate terroriste" dhe "mosrespektim të sanksioneve ndërkombëtare" në lidhje me aktivitetet e tij në Siri, filloi në Gjykatën Penale të Parisit rreth orës 14:00 sipas orës lokale.

Seancat dëgjimore, të cilat do të vazhdojnë deri më 16 dhjetor, do të shohin "Lafarge"-n, si një person juridik, dhe 8 individë në gjyq. Në gjyq përfshihen 4 ish-drejtues ekzekutivë francezë të "Lafarge", 2 ndërmjetës sirianë që dyshohet se janë takuar me organizata terroriste në emër të kompanisë dhe 2 oficerë sigurie, një jordanez dhe një norvegjez.

"Sherpa", një organizatë joqeveritare ndërkombëtare kundër korrupsionit dhe Qendra Evropiane për të Drejtat Kushtetuese dhe të Njeriut (ECCHR) me seli në Berlin lëshuan deklaratë të përbashkët lidhur me çështjen, e cila u ngrit pas një procesi ligjor gati nëntëvjeçar. Ata thanë se ky rast "paraqet mundësi unike për gjyqësorin francez për të shqyrtuar përgjegjësinë e korporatave shumëkombëshe që veprojnë në zonat e konfliktit".

Deklarata thekson se ky rast përfaqëson "hap kyç" në dhënien e një zëri për ish-punonjësit që u viktimizuan nga "Lafarge", dhe se shumë ish-punonjës sirianë të kompanisë do të marrin pjesë në rast për të përshkruar përvojat e tyre. Thuhet se një hetim ndaj "Lafarge"-s për "bashkëpunim në krime kundër njerëzimit" është duke vazhduar, duke vënë në dukje se ky rast përbën një rast të parë në botë.

Tetë individët e ndjekur penalisht në këtë rast përballen me 10 vjet burg dhe gjobë prej 225 mijë eurosh për "financimin e një organizate terroriste" ndërsa "Lafarge", duke u gjykuar si një "subjekt juridik" mund të përballet me një gjobë prej 1.125.000 euro dhe dënime shtesë.

Nëse "Lafarge" shpallet fajtore për "mosrespektim të sanksioneve financiare ndërkombëtare", mund të përballet me gjobë deri në 10-fishin e shumës së shkeljes (afërsisht 46 milionë euro). Ish-drejtuesit e "Lafarge" mund të përballen me një dënim me 5 vjet burg dhe gjobë si dhe me konfiskimin e aseteve të fituara si rezultat i shkeljes, për të njëjtën vepër penale.


- Agjencia Anadolu publikoi dokumente që vërtetonin se "Lafarge" financoi DEASH-in

Më 7 shtator 2021, Agjencia Anadolu publikoi dokumente që vërtetonin se kompania franceze "Lafarge" financoi organizatën terroriste DEASH me dijeninë e inteligjencës franceze. Këto dokumente morën vëmendje të gjerë ndërkombëtare.

Sipas dokumenteve, "Lafarge" informoi vazhdimisht agjencitë franceze të inteligjencës për marrëdhënien e saj me organizatën terroriste DEASH. Agjencitë franceze të inteligjencës dhe ato qeveritare nuk e paralajmëruan "Lafarge"-in se po kryente krime kundër njerëzimit duke financuar terrorizmin dhe e pranoi këtë në procesverbalet sekrete. DEASH përdori çimenton e blerë nga "Lafarge" për të ndërtuar strehimore dhe tunele.

Si pjesë e një hetimi të nisur kundër kompanisë në qershor 2017, disa drejtues të lartë, përfshirë kryetarin e "Lafarge"-s, Bruno Lafont, u akuzuan për "financim të terrorizmit". Akuza për "bashkëpunim në krime kundër njerëzimit" e ngritur kundër kompanisë në qershor 2018 u rrëzua në nëntor 2019.

Palët civile të përfshira në çështje, OJQ-ja kundër korrupsionit "Sherpa" dhe Qendra Evropiane për të Drejtat Kushtetuese dhe të Njeriut, apeluan në Gjykatën Supreme të Apelit. Më 7 shtator 2021, Gjykata Supreme e Apelit në Francë vendosi të hapë mundësinë e akuzimit të "Lafarge"-s për "bashkëpunim në krime kundër njerëzimit" për financimin e terroristëve të DEASH-it në Siri.

Më 18 maj 2022, Gjykata e Apelit e Parisit miratoi hapjen e një hetimi ndaj kompanisë franceze të çimentos "Lafarge", e cila ishte vërtetuar se kishte financuar organizatën terroriste DEASH në Siri nga dokumentet e marra nga Agjencia Anadolu (AA), për "bashkëpunim në krime kundër njerëzimit" të dyshuar.

Në janar 2024, Gjykata Franceze hodhi poshtë një kërkesë për të rrëzuar akuzat për "bashkëpunim në krime kundër njerëzimit" kundër gjigantit të çimentos "Lafarge" dhe urdhëroi që hetimi të vazhdonte. Më 16 tetor 2024, tre gjyqtarët hetues përgjegjës për hetimin vendosën se grupi "Lafarge" dhe 4 ish-drejtues të kompanisë duhet të gjykohen me akuzat për financimin e një organizate terroriste dhe shkeljen e embargos së Bashkimit Evropian (BE) që ndalon të gjitha marrëdhëniet financiare dhe tregtare me organizatat terroriste, përfshirë DEASH-in.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın