Franca thotë se prania e saj ushtarake në Lindjen e Mesme është “mbrojtëse”, kërkon uljen e tensioneve
“Kjo nuk është lufta jonë dhe ne nuk duam të jemi pjesë e saj”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme
Stamboll
Franca deklaroi sot se prania e saj ushtarake në Lindjen e Mesme është “mbrojtëse” dhe synon të mbrojë qytetarët dhe aleatët e saj, ndërsa tensionet vazhdojnë të përshkallëzohen në gjithë rajonin, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme franceze, Pascal Confavreau, i tha televizionit Al Jazeera se Parisi ndodhet në rajon “për të mbështetur dhe mbrojtur qytetarët e tij, si dhe për të mbrojtur aleatët e tij si Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe Kuvajti”, ndërsa njëkohësisht synon të ruajë lirinë e lundrimit.
Ai theksoi se strategjia e Francës, e mbështetur nga presidenti Emmanuel Macron dhe ministri i Jashtëm Jean-Noel Barrot, ka natyrë mbrojtëse, duke përmendur dislokimin e një aeroplanmbajtëseje dhe gjashtë fregatave në Detin e Kuq.
“Ajo që duam është ulja e tensioneve”, tha Confavreau, duke paralajmëruar se vazhdimi i armiqësive mund të destabilizojë rajonin më të gjerë.
Ai shtoi se “Irani është kryesisht përgjegjës për situatën”, duke përmendur shqetësimet lidhur me programet e tij bërthamore dhe raketore balistike, si dhe aktivitetet rajonale.
Zëdhënësi theksoi gjithashtu se Franca nuk kërkon përfshirje të drejtpërdrejtë në konflikt, duke deklaruar: “Kjo nuk është lufta jonë dhe ne nuk duam të jemi pjesë e saj”, ndërsa njëkohësisht riafirmoi mbështetjen për aleatët që përballen me sulme.
Sipas Confavreaut, konsultimet që përfshijnë më shumë se 30 vende janë duke vazhduar për të siguruar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, paralelisht me diskutimet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi një projektrezolutë.
Veçmas, Macron ka ndërmarrë përpjekje diplomatike, përfshirë kontakte me presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian, për të nxitur uljen e tensioneve, tha Confavreau.
Zyrtarët francezë paralajmëruan se kriza mund të ketë pasoja ekonomike globale, përfshirë rritjen e çmimeve të energjisë, pasi ndërprerjet në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalojnë rreth 20 milionë fuçi naftë çdo ditë, vazhdojnë të ndikojnë në tregje.
Prej afro një muaji, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izrael kanë kryer një ofensivë ajrore ndaj Iranit, duke shkaktuar mbi 1.340 viktima, përfshirë udhëheqësin e atëhershëm suprem, Ali Khamenei.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë, si dhe duke ndikuar në tregjet globale dhe aviacionin.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
