Bota

Franca thirrje Izraelit të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë

I Ngarkuari me Punë Jean-Baptiste Faivre shprehu shqetësimin e Francës për civilët e vrarë në sulmin e fundit izraelit.

Betül Yılmaz  | 30.11.2025 - Përdıtësım : 30.11.2025
Franca thirrje Izraelit të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë

Stamboll

DAMASK/STAMBOLL (AA) – Franca i bëri thirrje Izraelit që të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë, pasi një sulm ajror ndërkufitar vrau 13 civilë në zonën rurale të Damaskut, transmeton Anadolu.

Ushtria izraelite sulmoi të premten qytezën Beit Jinn dhe rrugën që çon drejt Mazraat Beit Jinn në zonën rurale të Damaskut, duke vrarë të paktën 13 persona, përfshirë gra e fëmijë, dhe duke plagosur disa të tjerë.

“Franca riafirmon rëndësinë e ruajtjes së unitetit të Sirisë, sovranitetit dhe stabilitetit të saj, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe marrëveshjen e demilitarizimit mes forcave izraelite dhe siriane”, tha Jean-Baptiste Faivre, i Ngarkuar me Punë i Francës në Siri, nëpërmjet rrjetit amerikan X.

Faivre shprehu shqetësimin e Francës për vrasjet e civilëve gjatë operacioneve ushtarake izraelite në Beit Jinn dhe i bëri thirrje “Izraelit të respektojë sovranitetin e Sirisë dhe integritetin e territoreve të saj”.

Ai u bëri thirrje edhe vendeve të rajonit “të angazhohen në përpjekjet e vazhdueshme për ta mundësuar Sirinë të bëhet një qendër paqeje, sigurie dhe stabiliteti në dobi të popullit sirian dhe gjithë rajonit”.

Të dhënat e qeverisë siriane treguan se Izraeli ka kryer mbi 1.000 sulme ajrore në Siri dhe më shumë se 400 sulme ndërkufitare në provincat jugore që nga dhjetori 2024.

Pas rënies së regjimit të Bashar al-Asadit në fund të vitit 2024, Izraeli e zgjeroi okupimin e Lartësive të Golanit duke marrë nën kontroll zonën e çmilitarizuar tampon, një veprim që shkeli Marrëveshjen e Demilitarizimit të vitit 1974 me Sirinë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın