Franca përshëndet marrëveshjen Izrael-Hamas për fazën e parë të planit të armëpushimit në Gaza
"Unë përshëndes marrëveshjen e arritur mbrëmë për lirimin e pengjeve dhe armëpushimin në Gaza, si dhe përpjekjet e presidentit Trump, si dhe të ndërmjetësve Katarit, Egjiptit dhe Turqisë për ta arritur atë”, tha Macron

Gjenevë
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka përshëndetur marrëveshjen Izrael-Hamas për fazën e parë të planit të armëpushimit në Gaza, duke theksuar se ajo sjell “shpresë të madhe”, transmeton Anadolu.
"Shpresë e madhe për pengjet dhe familjet e tyre, për palestinezët në Gaza dhe për rajonin," shkroi Macron në platformën sociale të kompanisë amerikane X.
"Unë përshëndes marrëveshjen e arritur mbrëmë për lirimin e pengjeve dhe armëpushimin në Gaza, si dhe përpjekjet e presidentit Trump, si dhe të ndërmjetësve Katarit, Egjiptit dhe Turqisë për ta arritur atë”, tha Macron.
Duke u bërë thirrje palëve që të "respektojnë në mënyrë strikte" kushtet e marrëveshjes, ai tha se "kjo marrëveshje duhet të shënojë fundin e luftës dhe fillimin e një zgjidhjeje politike bazuar në zgjidhjen me dy shtete”.
Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë e Francës për të kontribuar në këtë qëllim dhe tha se çështja do të diskutohet më vonë gjatë ditës në Paris me partnerët ndërkombëtar të vendit.
Komentet e tij erdhën pasi Trump njoftoi se Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar fazën e parë të një marrëveshjeje të propozuar nga SHBA-ja për Gazën.
Plani 20-pikësh, i njoftuar për herë të parë më 29 shtator, përfshin lirimin e të gjitha pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë, një armëpushim, çarmatimin e Hamasit dhe rindërtimin e Gazës.
Që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 67.200 palestinezë në enklavë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme e kanë kthyer Gazën praktikisht në të pabanueshme, duke çuar në uri dhe përhapjen e sëmundjeve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.