Bota

Franca njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës, njofton presidenti Macron

Presidenti francez thotë se njohja hap rrugën për negociata midis Izraelit dhe Palestinës.

Muhammed Yasin Güngör, Necva Taştan Sevinç  | 22.09.2025 - Përdıtësım : 23.09.2025
Franca njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës, njofton presidenti Macron

Istanbul

Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi të hënën se vendi i tij e njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës, transmeton Anadolu.

“Unë deklaroj se sot Franca njeh shtetin e Palestinës”, tha Macron në një konferencë ndërkombëtare mbi Palestinën në New York përpara fillimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë javë.

Ai theksoi se njohja përfaqëson “zgjidhjen e vetme që do t’i mundësojë Izraelit të jetojë në paqe”.

Macron tha se njohja e Francës “është një disfatë për Hamasin, ashtu si për të gjithë ata që fermentojnë antisemitizmin, ushqejnë obsesione antisioniste dhe që duan shkatërrimin e shtetit të Izraelit”.

Ai falënderoi kombet e tjera që gjithashtu njoftuan së fundmi njohjen, duke përfshirë Andorrën, Australinë, Belgjikën, Kanadanë, Luksemburgun, Maltën, Monakon, Portugalinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe San Marinon.

Njohja “hap rrugën për negociata të dobishme, (dhe është) e dobishme për izraelitët dhe palestinezët” që punojnë drejt “një plani paqeje dhe sigurie për të gjithë”, shtoi Macron.

Konferenca, e bashkëkryesuar nga Franca dhe Arabia Saudite, vjen pas një takimi të ngjashëm në korrik.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme palestineze, nëpërmjet një deklarate, e përshëndeti këtë hap të Francës, duke e cilësuar si "vendim historik dhe të guximshëm që është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e OKB-së".

Që nga 7 tetori 2023, operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza kanë vrarë mbi 65.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın