Bota

Franca kufizon përfitimet e përjetshme për ish-kryeministrat

Rregulli do të hyjë në fuqi më 1 janar dhe do të zbatohet gjithashtu për ish-kryeministrat që kanë lënë detyrën më shumë se 10 vjet më parë

İlayda Çakırtekin  | 17.09.2025 - Përdıtësım : 17.09.2025
Franca kufizon përfitimet e përjetshme për ish-kryeministrat

Stamboll

Gazeta zyrtare e qeverisë franceze ka publikuar një dekret që kufizon përfitimet e përjetshme për ish-kryeministrat, transmeton Anadolu.

“Dekreti kufizon periudhën gjatë së cilës kryeministrat kanë të drejtë për një makinë shërbimi dhe një shofer në dhjetë vjet nga data e largimit nga detyra”, thotë dekreti.

Rregulli do të hyjë në fuqi më 1 janar dhe do të zbatohet gjithashtu për ish-kryeministrat që kanë lënë detyrën më shumë se 10 vjet më parë.

Dekreti vjen dy ditë pasi kryeministri i sapoemëruar, Sebastien Lecornu, e njoftoi atë në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

"Derisa është e arsyeshme që Republika të mbrojë individët që përballen me kërcënime, nuk është e pranueshme që ata të marrin përfitime të përjetshme thjesht për shkak të një pozicioni të përkohshëm. Mbrojtja policore tani do t'u jepet ish-kryeministrave dhe ministrave të brendshëm vetëm për një periudhë të kufizuar dhe do të zgjatet bazuar në nivelin aktual të rrezikut", tha Lecornu.

Ai theksoi se të gjitha burimet e tjera që më parë ishin në dispozicion të ish-kryeministrave për gjithë jetën, tani do të ofrohen për një periudhë të kufizuar.

Plani i diskutueshëm i buxhetit kombëtar

Franca po përballet me tensione politike në rritje, pasi ish-kryeministri Francois Bayrou humbi një votëbesim më 8 shtator në Asamblenë Kombëtare.

Bayrou, i cili zbuloi një kornizë buxhetore për vitin 2026 në muajin korrik, po kërkonte mbështetje për një plan për të kursyer gati 44 miliardë euro në kuadër të përpjekjeve për të ulur borxhin publik në rritje, i cili tani është 113 për qind e prodhimit bruto të brendshëm.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, emëroi ministrin e Forcave të Armatosura, Sebastian Lecornu, si kryeministër të ri. Ai është ngarkuar me detyrën e mbajtjes së konsultimeve me partitë politike para se të formojë qeverinë e tij.

Franca ka një nga deficitet më të mëdha buxhetore të Bashkimit Evropian, respektivisht me 5,8 për qind të prodhimit bruto të brendshëm.

Negociatat për buxhetin kanë qenë një burim i madh tensioni në politikën franceze.

Dështimi për të arritur një marrëveshje mbi buxhetin e vitit 2025 vitin e kaluar çoi në rrëzimin e qeverisë së Michel Barnierit në dhjetor, pasi partitë e krahut të majtë dhe të ekstremit të djathtë u bashkuan pas një mocioni mosbesimi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.