Franca ka njoftuar se do të ndërtojë një aeroplanmbajtëse të re deri në vitin 2038
Aeroplanmbajtësja e re me kapacitet bërthamor, që vlerësohet të kushtojë rreth 10 miliardë euro, pritet të hyjë në shërbim në vitin 2038
Ankara
Presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftoi se një aeroplanmbajtëse e gjeneratës së re që do të zëvendësojë anijen kryesore franceze "Charles de Gaulle" do të ndërtohet deri në vitin 2038, raporton Anadolu.
Gjatë vizitës së tij zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Macron tha se projekti, të cilin e njoftoi në bazën ushtarake franceze në Abu Dhabi, do të ishte "një demonstrim i forcës së kombit francez".
Në këtë kuadër, Macron deklaroi se pas një shqyrtimi rigoroz në përputhje me ligjet e programimit ushtarak, ai kishte vendosur të "pajiste Francën me një aeroplanmbajtëse të re", duke theksuar se "duhet të jesh i fortë që të jesh në gjendje të frikësosh".
Aeroplanmbajtësja e re me kapacitet bërthamor, që vlerësohet të kushtojë rreth 10 miliardë euro, pritet të hyjë në shërbim në vitin 2038.
Sipas mediave franceze, aeroplanmbajtësja e re do të jetë më e madhe se "Charles de Gaulle", dhe është projektuar të jetë 300 metra e gjatë dhe të peshojë 80.000 tonë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
