Franca, Gjermania dhe Britania dënojnë sulmin e Izraelit më 9 shtator në Doha
Ministrat e Jashtëm të tri vendeve nënvizuan se veprime të tilla përbëjnë një “rrezik serioz” për arritjen e një marrëveshjeje të negociuar që mund t’i japë fund konfliktit në Gaza.
Stamboll
Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar dënuan sulmet ajrore izraelite në Doha në fillim të kësaj jave, duke i quajtur ato shkelje të sovranitetit të Katarit dhe kërcënim për stabilitetin rajonal, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e jashtëm të tri vendeve thanë se sulmet e 9 shtatorit rrezikojnë të minojnë përpjekjet e vazhdueshme të ndërmjetësimit që synojnë lirimin e pengjeve izraelite dhe arritjen e një armëpushimi në Gaza.
“Ne, Ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, dënojmë sulmet e Izraelit në Doha më 9 shtator, të cilat shkelin sovranitetin e Katarit dhe rrezikojnë përshkallëzim të mëtejshëm në rajon”, thuhet në deklaratë.
Ministrat nënvizuan se veprime të tilla përbëjnë një “rrezik serioz” për arritjen e një marrëveshjeje të negociuar që mund t’i japë fund konfliktit në Gaza, duke i nxitur të gjitha palët të “rinovojnë dhe dyfishojnë përpjekjet e tyre” drejt një armëpushimi të menjëhershëm.
Ata shprehën solidaritet me Katarin dhe theksuan “rolin jetësor” të vendit të Gjirit në përpjekjet e ndërmjetësimit së bashku me Egjiptin dhe SHBA-në.
“U bëjmë thirrje palëve të ushtrojnë përmbajtje dhe të shfrytëzojnë mundësinë për paqe”, shtohet në deklaratë.
Të tri vendet bënë thirrje gjithashtu për ndalimin e operacioneve izraelite në Qytetin e Gazës, duke thënë se fushata ushtarake po shkakton zhvendosje masive të civilëve, viktima dhe shkatërrim të infrastrukturës thelbësore.
Ata kërkuan që OKB-së dhe organizatave humanitare t’u lejohet të punojnë “në mënyrë të sigurt dhe në shkallë të gjerë” në gjithë enklavën.
Ndërsa përsëritën dënimin e tyre për Hamasin, ministrat kërkuan që grupi të lirojë menjëherë dhe pa kushte të gjithë pengjet, të çarmatoset dhe të përjashtohet përgjithmonë nga qeverisja e Rripit të Gazës.
Ata theksuan se fokusi duhet të mbetet në arritjen e një armëpushimi të përhershëm, sigurimin e lirimit të pengjeve dhe ofrimin e ndihmës në shkallë të gjerë në Gaza për të parandaluar urinë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
