Franca do të bashkë-organizojë konferencën e rindërtimit të Gazës, kërkon mandatin e OKB-së për forcën stabilizuese
Duke iu drejtuar Asamblesë Kombëtare, Barrot e përshkroi armëpushimin midis Hamasit dhe Izraelit të arritur javën e kaluar si "një hap i rëndësishëm", por paralajmëroi se armëpushimi “mbetet i brishtë"

Gjenevë
Ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Noel Barrot, ka bërë të ditur se Franca do të bashkë-organizojë me Egjiptin një konferencë ndërkombëtare mbi rindërtimin e Gazës dhe do të punojë me partnerët për të krijuar një forcë stabilizuese nën mandatin e OKB-së, transmeton Anadolu.
Duke iu drejtuar Asamblesë Kombëtare, Barrot e përshkroi armëpushimin midis Hamasit dhe Izraelit të arritur javën e kaluar si "një hap i rëndësishëm", por paralajmëroi se armëpushimi “mbetet i brishtë".
"Akoma nuk është paqe", theksoi ai.
Ai tha se takimi i fundit në Sharm el-Sheikh, ku mori pjesë edhe presidenti Emmanuel Macron, ishte jetik për “t'u koordinuar me vendet evropiane, vendet arabe që duan të luajnë rolin e tyre të plotë në këtë ndërtim për një paqe të qëndrueshme në rajon".
Duke përshkruar tre prioritetet kryesore të Francës, Barrot tha se prioriteti i parë është ndihma humanitare dhe rindërtimi.
"Ne duhet ta përmbytim Rripin e Gazës me ndihmë humanitare. Ne duhet të fillojmë punën e rindërtimit tani", tha Barrot, duke njoftuar se Franca dhe Egjipti do të bashkë-organizojnë konferencën kushtuar rindërtimit të Gazës.
Prioriteti i dytë, tha ai, është siguria, duke theksuar mbrojtjen e civilëve.
"Ne duhet të garantojmë sigurinë dhe në veçanti sigurinë e banorëve të Gazës. Kjo është arsyeja pse Franca, së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, do të paraqesë, në bashkëpunim me SHBA-në, një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të mandatuar një forcë ndërkombëtare stabilizimi që do të jetë në gjendje të veprojë shumë shpejt në Gaza", tha ai.
Shtylla e tretë, tha Barrot, është qeverisja e Gazës në të cilën "ne duam që palestinezët të jenë në gjendje të gjejnë vendin e tyre të plotë dhe në veçanti një Autoritet Palestinez i reformuar".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.