Politikë, Bota

Franca dhe Australia do të furnizojnë Ukrainën me mijëra predha artilerie

Nisma plotëson nevojën urgjente të Ukrainës për predha artilerie, thuhet në një deklaratë të përbashkët

Burak Bir  | 31.01.2023 - Përdıtësım : 31.01.2023
Franca dhe Australia do të furnizojnë Ukrainën me mijëra predha artilerie

Londër

Franca dhe Australia ranë dakord të hënën të prodhojnë dhe dërgojnë së bashku disa mijëra predha artilerie të kalibrit 155 milimetra në Ukrainë në përpjekje për të përmbushur “kërkesën urgjente” të Kievit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar pas Konsultimeve të dyta Ministrore të Jashtme dhe të Mbrojtjes Australi-Francë të mbajtura në Paris, dy vendet kanë shprehur angazhimin e tyre të përbashkët për sigurinë e Ukrainës në vazhdën e luftës me Rusinë.

Ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna dhe homologia e saj australiane Penny Wong, si dhe ministri francez i mbrojtjes Sebastien Lecornu dhe homologu i tij australian Richard Marles, kanë përsëritur qëndrimin e tyre të vendosur për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës.

“Ministrat njoftuan synimin e tyre për të ofruar mbështetje për Ukrainën, duke përfshirë furnizimin e përbashkët të municioneve prej 155 milimetrash. Nisma shfrytëzon komplementaritetin e industrive përkatëse të mbrojtjes dhe plotëson nevojën urgjente të Ukrainës për municion prej 155 milimetrash”, thuhet në deklaratë.

Të dy vendet kanë rënë dakord gjithashtu mbi angazhimin për të rivendosur “një marrëdhënie dypalëshe dinamike” të bazuar në besim dhe interesa të përbashkëta në përputhje me përparësitë e rëna dakord nga udhëheqjet e të dy vendeve vitin e kaluar.

Më 1 korrik 2022, kryeministri australian Anthony Albanese u takua me presidentin francez Emmanuel Macron në Paris në një përpjekje për të përmirësuar raportet pas tensioneve për shkak të një marrëveshjeje të anuluar të nëndetëseve vitin e kaluar.

Australia në vitin 2021 anuloi një kontratë disa-miliardë-dollarëshe me një firmë franceze për të ndërtuar 12 nëndetëse me naftë dhe hyri në marrëveshjen AUKUS, një pakt i ri i mbrojtjes me SHBA-në dhe Britaninë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.