Bota

Franca "dënon fuqishëm" masat izraelite për të zgjeruar kontrollin mbi Bregun Perëndimor

Masat izraelite përbëjnë "goditje serioze për zgjidhjen me dy shtete", tha Ministria e Jashtme franceze

İlayda Çakırtekin  | 10.02.2026 - Përdıtësım : 10.02.2026
Franca "dënon fuqishëm" masat izraelite për të zgjeruar kontrollin mbi Bregun Perëndimor

Stamboll

Franca dënoi masat e fundit izraelite që synojnë zgjerimin e kontrollit mbi Bregun Perëndimor të pushtuar, duke i cilësuar ato si “goditje serioze për zgjidhjen me dy shtete”, transmeton Anadolu.

“Franca dënon fuqishëm vendimet e fundit të kabinetit izraelit të sigurisë që synojnë shtrirjen e kontrollit të Izraelit mbi Bregun Perëndimor, përfshirë zonat A dhe B. Këto vendime bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe përbëjnë një sfidë të rrezikshme ndaj Marrëveshjeve të Oslos dhe Protokollit të Hebronit”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Në deklaratë theksohet se këto masa kontribuojnë në avancimin e “logjikës së aneksimit të Bregut Perëndimor” dhe përbëjnë “goditje serioze për zgjidhjen me dy shtete”.

“Në një kohë kur përpjekjet ndërkombëtare janë të përqendruara në zbatimin e fazës së dytë të planit të paqes për Gazën, këto vendime minojnë përpjekjet në vazhdim për paqe dhe rrezikojnë të nxisin tensione. Ne i bëjmë thirrje Izraelit që t’i anulojë menjëherë këto vendime dhe riafirmojmë kundërshtimin tonë të palëkundur ndaj çdo forme aneksimi”, shtoi ministria.

Dënimi i Francës erdhi pasi Kabineti i Sigurisë i Izraelit miratoi të dielën masa që synojnë ndryshimin e kuadrit ligjor dhe civil në Bregun Perëndimor të pushtuar për të forcuar kontrollin izraelit.

Sipas raportimeve të mediave, vendimet përfshijnë shfuqizimin e një ligji që ndalon shitjen e tokës palestineze te hebrenjtë në Bregun Perëndimor, hapjen e regjistrave të pronësisë së tokës dhe transferimin e autoritetit për dhënien e lejeve të ndërtimit në një bllok vendbanimesh kolone në Hebron nga komuna palestineze te administrata civile izraelite.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.