Francë, punonjësit në sektorin publik detyrohen të përdorin aplikacionin e mesazheve Tchap
Qeveria franceze ua ka ndaluar punonjësve në sektorin publik përdorimin e aplikacioneve të mesazheve si Telegram dhe WhatsApp për shkak të shqetësimeve për sigurinë

Ankara
Për arsye sigurie është vendosur detyrimi që punonjësit e sektorit publik në Francë, përfshirë ministrat të përdorin aplikacionin e mesazheve Tchap, të zhvilluar nga vendi, transmeton Anadolu.
Siç raporton "Le Figaro", qeveria franceze ua ka ndaluar punonjësve në sektorin publik përdorimin e aplikacioneve të mesazheve si Telegram dhe WhatsApp për shkak të shqetësimeve për sigurinë.
Sipas një rregulloreje të publikuar nga qeveria, aplikacioni Tchap, i zhvilluar nga Drejtoria Dixhitale Ndërministrore (Dinum) do të shërbejë për të siguruar komunikim të sigurt midis punonjësve të sektorit publik.
Rregullorja thotë se aplikacione si WhatsApp dhe Telegram nuk ofrojnë garanci themelore sigurie dhe i urdhëron të gjithë punonjësit e sektorit publik, përfshirë ministrat, të përdorin Tchap.
Gjithashtu rregullorja u kërkoi punonjësve publikë të shkarkonin aplikacionin Tchap deri më 1 shtator.