Fraksionet palestineze: SHBA-ja synon të imponojë kontroll të jashtëm në Rripin e Gazës
Fraksionet palestineze thanë se mandati i propozuar do të hapë rrugën për "dominim të jashtëm mbi vendimin kombëtar palestinez" në Rripin e Gazës
Istanbul
Fraksionet e rezistencës palestineze paralajmëruan të dielën se një projekt-rezolutë amerikane për të vendosur forcë ndërkombëtare në Gaza përbën përpjekje për të imponuar kujdestari të huaj mbi territorin dhe për të lënë mënjanë vendimmarrjen palestineze, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të përbashkët, fraksionet thanë se mandati i propozuar do të hapë rrugën për "dominim të jashtëm mbi vendimin kombëtar palestinez", duke e zhvendosur administrimin dhe rindërtimin e Gazës në organ mbikombëtar me autoritet të gjerë, veprim që ata argumentojnë se do t'i privonte palestinezët nga e drejta e tyre për të qeverisur punët e tyre.
Grupet theksuan se çdo përpjekje humanitare duhet të menaxhohet përmes "institucioneve kompetente palestineze" nën mbikëqyrjen e OKB-së, bazuar në respektin për sovranitetin palestinez dhe nevojat e popullsisë, dhe të lirë nga përpjekjet për të përdorur ndihmën si një mjet politik ose sigurie për të riformësuar realitetin e brendshëm të Gazës.
Ata paralajmëruan se kanalizimi i ndihmës humanitare përmes një mekanizmi të drejtuar nga jashtë do ta shndërronte ndihmën në një mjet presioni, duke minuar institucionet palestineze dhe duke dobësuar agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), roli i së cilës, sipas tyre, "duhet të mbrohet si një dëshmitar ndërkombëtar i çështjes së refugjatëve dhe të drejtave të tyre të patjetërsueshme".
Fraksionet hodhën poshtë çdo klauzolë që përfshin çarmatimin në Gaza ose çdo shkelje të së drejtës së njohur ndërkombëtarisht të popullit palestinez për t'i rezistuar pushtimit izraelit. Sipas deklaratës, çdo diskutim lidhur me armët duhet të mbetet "çështje kombëtare" e lidhur me një proces politik që çon në përfundimin e pushtimit izraelit dhe krijimin e shtetit palestinez.
Deklarata kritikon rolin e parashikuar të një force shumëkombëshe të propozuar, duke paralajmëruar se ajo "praktikisht do t'i shërbente pushtimit (izraelit)" përmes koordinimit të drejtpërdrejtë me Tel Avivin.
Grupet thanë se çdo mision ndërkombëtar, nëse krijohet, duhet të bie plotësisht nën autoritetin e OKB-së, të koordinohet ekskluzivisht me institucionet zyrtare palestineze dhe të kufizojë detyrat e tij në mbrojtjen e civilëve, sigurimin e shpërndarjes së ndihmës dhe ndarjen e forcave, pa u bërë një autoritet sigurie ose administratë mbikombëtare.
Ata hodhën poshtë çdo formë të pranisë ushtarake të huaj, kujdestarisë ose bazave ndërkombëtare brenda Gazës, duke i quajtur masat e tilla sulm të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit palestinez. Ata bënë thirrje për mekanizma ndërkombëtarë për ta mbajtur Izraelin përgjegjës për shkeljet e tij të vazhdueshme, përfshirë përgjegjësinë për sigurinë civile dhe krizën humanitare në përkeqësim që rezulton nga kontrolli i Izraelit mbi kalimet e Gazës.
Një kornizë arabo-islamike për administrimin e Gazës është modeli më i pranueshëm dhe se çdo marrëveshje e ardhshme duhet të bazohet në vullnetin e lirë palestinez dhe unitetin e tokës, popullit dhe kauzës. Korniza arabo-islamike parashikon që Hamasi t'ia dorëzojë administrimin e Gazës një komiteti administrativ palestinez të përkohshëm të teknokratëve të pavarur, thuhet në deklaratë.
Deklarata vjen ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së është planifikuar të votojë të hënën për zbatimin e fazës së dytë të planit të presidentit të SHBA-së Donald Trump për Gazën, i cili përfshin vendosjen e një force ndërkombëtare në enklavë dhe përcaktimin e një rruge drejt krijimit të shtetit palestinez.
Marrëveshja e armëpushimit në Gaza hyri në fuqi më 10 tetor me ndërmjetësimin e Egjiptit, Katarit, SHBA-së dhe Turqisë, megjithëse Izraeli vazhdoi shkeljet dhe bllokoi kalimin në fazën e dytë të marrëveshjes, e cila përqendrohet në marrëveshjet e sigurisë dhe administrative në Rripin e Gazës dhe tërheqjes izraelite.
