Bota

Forumi Ndërkombëtar i Familjes përfundon në Stamboll me thirrjen për të mbrojtur vlerat e familjes

"Familja është një nga institucionet më të rëndësishme në historinë njerëzore dhe për vetë njerëzimin. Familja është aq e rëndësishme, e vlefshme dhe e shenjtë sa që asnjë institucion, marrëdhënie apo lidhje tjetër nuk mund ta zëvendësojë atë"

Seda Sevencan  | 24.05.2025 - Përdıtësım : 24.05.2025
Forumi Ndërkombëtar i Familjes përfundon në Stamboll me thirrjen për të mbrojtur vlerat e familjes

Stamboll

Forumi Ndërkombëtar i Familjes në Stamboll ka përfunduar me një thirrje të fortë nga presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan për të mbrojtur dhe forcuar strukturat tradicionale të familjes në mes të sfidave globale, raporton Anadolu.

Organizuar nën temën "Mbrojtja dhe forcimi i familjes përballë sfidave globale", ngjarja dyditore mblodhi së bashku politikbërës, ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të eksploruar rolin në zhvillim të familjes dhe kërcënimet me të cilat ajo përballet në shoqërinë moderne.

Presidenti Erdoğan gjatë fjalimit të tij në forum tha se forumi është treguesi më i qartë i rëndësisë që Turqia i kushton institucionit të familjes.

"Familja është një nga institucionet më të rëndësishme në historinë njerëzore dhe për vetë njerëzimin. Familja është aq e rëndësishme, e vlefshme dhe e shenjtë sa që asnjë institucion, marrëdhënie apo lidhje tjetër nuk mund ta zëvendësojë atë", theksoi Erdoğan.

"Shoqëritë në të cilat familja shembet, shpërbëhet ose konsumohet janë të destinuara të dobësohen, të degjenerohen, të shpërbëhen dhe përfundimisht të vdesin. Është detyra jonë themelore të luftojmë çdo kërcënim ose sulm ndaj familjes, si dhe të lavdërojmë dhe forcojmë institucionin e familjes. Të mbrosh familjen do të thotë të mbrosh shoqërinë, forcimi i familjes ndërton të ardhmen”, tha ai.

Presidenti turk gjithashtu paralajmëroi se globalizimi, modernizimi dhe digjitalizimi po përshpejtojnë ndryshimet që dobësojnë njësinë tradicionale të familjes.

"Derisa jeta jonë bëhet më e digjitalizuar në çdo mënyrë, shumë institucione tradicionale, veçanërisht koncepti i familjes, po humbasin kuptimin. Ndërkohë që vlerat humanitare janë duke u gërryer, një mendim egocentrik po zëvendëson një perspektivë të përqendruar te shoqëria. Ne jemi të vetëdijshëm se epoka moderne po shkakton dëm të konsiderueshëm për shumë vlera njerëzore, si dhe për institucionin e familjes”, theksoi Erdoğan.

Ai gjithashtu vuri në dukje të dhënat e fundit nga agjencia statistikore e Turqisë që tregojnë se shkalla e fertilitetit së vendit ka rënë në 1.48, nën nivelin kritik të zëvendësimit prej 2.1. Ai këtë situatë e quajti një "katastrofë".

Për të adresuar këtë çështje, Erdoğan njoftoi nisjen e një nisme politike 10-vjeçare, duke e përcaktuar periudhën 2026-2035 si "Dekada e familjes dhe popullsisë".

Siç tha presidenti turk, programi do të përfshijë reforma të gjera duke filluar nga arsimi dhe planifikimi urban deri te politika sociale, të gjitha që synojnë forcimin e familjes.

Forumi organizohet nën kujdesin e Ministrisë së Familjes dhe Shërbimeve Sociale të Turqisë si pjesë e nismës së vendit “2025-ta, viti i familjes. Anadolu është partneri global i komunikimit i forumit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.