Forcat izraelite ndërhyjnë teksa palestinezët përpiqeshin të arrinin në Al-Aksa për faljet e Fitër Bajramit
Qindra palestinezë u mblodhën në rrugët dhe rrugicat përreth kompleksit, duke falur namazin e Bajramit, ndërsa policia izraelite përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmë
Kuds
Forcat izraelite të sigurisë kanë ndërhyrë teksa palestinezët përpiqeshin të hynin në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa për faljet e Fitër Bajramit, pavarësisht mbylljes së vendit të shenjtë, raporton Anadolu.
Qindra palestinezë u mblodhën në rrugët dhe rrugicat përreth kompleksit, duke falur namazin e Bajramit, ndërsa policia izraelite përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën
Autoritetet izraelite kanë ndaluar faljet e Fitër Bajramit në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, duke përmendur kufizime të sigurisë të vendosura në kuadër të luftës kundër Iranit.
Dje, palestinezët bënë thirrje që besimtarët të mblidhen pranë Qytetit të Vjetër për të kryer faljet sa më afër Al-Aksas, për të shënuar përfundimin e muajit të agjërimit të Ramazanit.
Policia izraelite ka përdorur më parë shkopinj gome, granata zhurmuese dhe gaz lotsjellës kundër palestinezëve që janë falur jashtë mureve të Qytetit të Vjetër në shenjë proteste kundër kufizimeve në Al-Aksa gjatë Ramazanit.
Kudsi Lindor i pushtuar hyri në periudhën festive në një atmosferë të zymtë.
Qyteti i Vjetër, i cili zakonisht mbushet me palestinezë në ditët para Bajramit, ishte çuditërisht i qetë, duke i ngjarë një qyteti fantazmë.
Izraeli kufizoi hyrjen, duke përmendur ndalimin e grumbullimeve, ndërsa tregtarët palestinezë u penguan të hapin dyqanet e tyre, vetëm farmacitë dhe dyqanet e ushqimeve bazë u lejuan të funksiononin.
Tregtarët palestinezë, të cilët refuzuan të identifikohen nga frika e ndëshkimeve izraelite, thanë se kufizimet i kanë lënë në vështirësi të mëdha ekonomike.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
