Bota

Forcat izraelite hapin zjarr ndaj palestinezëve që kërkojnë ndihmë në Gaza

Forcat izraelite kanë hapur zjarr ndaj një grupi palestinezësh të mbledhur për të marrë ndihmë humanitare në zonën Sudaniye të Gazës veriore

Abdulbesar Ademi  | 27.07.2025 - Përdıtësım : 27.07.2025
Forcat izraelite hapin zjarr ndaj palestinezëve që kërkojnë ndihmë në Gaza

Gaza

Forcat izraelite kanë hapur zjarr ndaj një grupi palestinezësh të mbledhur për të marrë ndihmë humanitare në zonën Sudaniye të Gazës veriore, raporton Anadolu.

Autoritetet lokale në Gaza paralajmëruan se shpërndarja e kufizuar e ndihmës e lejuar në enklavë nuk do t’i japë fund urisë së shkaktuar nga bllokada disamujore e Izraelit.

Sipas mediave egjiptiane, disa kamionë ndihmash u lejuan të hyjnë në Gaza herët në mëngjes përmes pikës kufitare Rafah me Egjiptin.

“Gaza ka nevojë për 600 kamionë ndihmash për çdo ditë, përfshirë formulë për foshnje, ushqim dhe karburant, për të përmbushur nevojat minimale të popullsisë”, tha zyra qeveritare për media.

Zyra për media gjithashtu tha se hyrja e dhjetëra kamionëve të ndihmës “mbetet e kufizuar dhe nuk do të jetë e mjaftueshme për t’i dhënë fund urisë”. Ajo tha se vetëm foshnjat kanë nevojë për 250 mijë kanaçe formulë në muaj për t’i mbijetuar krizës aktuale.

Ajo bëri thirrje për hapjen e menjëhershme dhe pa kushte të të gjitha kalimeve dhe një heqje të plotë të rrethimit izraelit.

“Zgjidhjet e pjesshme ose simbolike nuk mund ta zgjidhin urinë dhe kequshqyerjen e përhapur që prekin më të prekshmit e Gazës”, tha zyra për media.

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka ndërmarrë një ofensivë brutale në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 59.700 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.