Forcat izraelite dhe kolonët përshkallëzojnë sulmet ndaj kultivuesve palestinezë të ullirit në Bregun Perëndimor
Banorët lokalë, të cilët varen kryesisht nga kultivimi i ullinjve për jetesën e tyre, thanë se që nga 7 tetori 2023, atyre u është mohuar hyrja në tokat afër vendbanimeve izraelite të paligjshme
Shkup
Ushtarët dhe kolonët izraelitë penguan fermerët palestinezë në vjeljen e ullinjve të tyre në qytetin e El-Halilit (Hebron) në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu.
Ushtria izraelite e shpalli rajonin “zonë ushtarake”, duke ua ndaluar palestinezëve hyrjen në tokat e tyre. Banorët lokalë, të cilët varen kryesisht nga kultivimi i ullinjve për jetesën e tyre, thanë se që nga 7 tetori 2023, atyre u është mohuar hyrja në tokat afër vendbanimeve izraelite të paligjshme.
Bujku palestinez Muhammed Tarwa tha se rreth 90 për qind e ullinjve në zonë janë djegur ose janë shkulur nga kolonët.
Sipas Muayyar Shaaban, kreut të Komisionit të Autoritetit Palestinez për Rezistencën ndaj Kolonizimit dhe Murit, 158 sulme nga kolonët janë regjistruar që nga fillimi i sezonit të vjeljes së ullinjve në tetor.
Ekipet në terren kanë dokumentuar gjithashtu 17 incidente që përfshijnë ushtarë izraelitë, përfshirë sulme fizike, arrestime, kufizime lëvizjeje, ndalim hyrjeje, frikësime, ngacmime dhe të shtëna me armë.
Shaaban tha se 56 nga sulmet kanë ndodhur në qytetin verior Nablus, 51 në qytetin qendror Ramallah dhe 15 në El-Halil, në pjesën jugore të Bregut Perëndimor. Ai shtoi se 57 incidente përfshinin kufizime lëvizjeje dhe frikësime ndaj mbledhësve të ullinjve, ndërsa 22 raste përfshinin rrahje dhe sulme të tjera fizike.
Gjithsej, 795 ullinj janë shkatërruar në 74 sulme që kishin në shënjestër drejtpërdrejt tokat bujqësore, tha Shaaban, duke e përshkruar këtë sezon të vjeljes si “njërin ndër më të vështirët dhe më të rrezikshmit në dekada” për shkak të dhunës së shtuar nga forcat dhe kolonët izraelitë.
Ai akuzoi Izraelin për “shënjestrim sistematik të sezonit të vjeljes së ullinjve” për shkak të lidhjes së thellë emocionale dhe historike ndërmjet palestinezëve dhe tokës së tyre, duke e quajtur këtë “pjesë të një plani të qartë për të kontrolluar gjeografinë palestineze dhe për t’u mohuar palestinezëve qasjen në tokat e tyre”.
Të martën, ministri palestinez i Bujqësisë, Rezq Salimia, tha në një konferencë shtypi në selinë e ministrisë në Ramallah se që nga fillimi i vitit 2025 deri në mesin e tetorit, më shumë se 5.353 bujq janë prekur nga shkeljet izraelite, që përbën një rritje prej 17 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Ai vuri në dukje se humbjet totale kanë tejkaluar 70,3 milionë dollarë, duke përfshirë djegien dhe shkuljen e pemëve, shkatërrimin e infrastrukturës bujqësore, vrasjen dhe vjedhjen e bagëtive, konfiskimin e mijëra hektarëve tokë, si dhe pengimin e hyrjes së bujqve, ndërkohë që lejohet kullotja sistematike e kolonëve.
Sipas Salimias, që nga tetori 2024, ministria ka dokumentuar shkatërrimin e mbi 15.000 pemëve ulliri.
Sulmet izraelite janë përshkallëzuar në gjithë Bregun Perëndimor që nga tetori 2023, duke vrarë më shumë se 1.056 palestinezë, plagosur mbi 10.300 dhe arrestuar mbi 20.000 të tjerë, sipas burimeve palestineze.
Në një opinion historik në korrik kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli pushtimin izraelit të territoreve palestineze të paligjshëm dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.
Që nga tetori 2023, lufta gjenocidale e Izraelit ka vrarë mbi 68.000 persona dhe ka plagosur më shumë se 170.000 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Një marrëveshje armëpushimi hyri në fuqi më 10 tetor në Gaza, bazuar në një plan me faza të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
