Bota

Forcat greke vendosin sistemin e mbrojtjes ajrore "Patriot" në ishullin Karpathos

Një anije amfibe e Marinës Greke u ankorua në portin Pigadia dhe shkarkoi sistemin raketor MIM-104 Patriot

Seyit Şamil Kurt  | 05.03.2026 - Përdıtësım : 05.03.2026
Forcat greke vendosin sistemin e mbrojtjes ajrore "Patriot" në ishullin Karpathos

Stamboll

Një bateri e sistemit të mbrojtjes ajrore "Patriot" është vendosur në ishullin grek Karpathos, në Egjeun juglindor, raportuan të mërkurën mediat greke, ndërsa autoritetet synojnë të forcojnë mbrojtjen ajrore mes shqetësimeve për përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.

Sipas transmetuesit MEGA Channel, një anije amfibe e Marinës Greke u ankorua në portin Pigadia dhe shkarkoi sistemin raketor MIM-104 Patriot.

Pamjet treguan automjete ushtarake duke transportuar komponentë të baterisë së mbrojtjes ajrore përgjatë rrugës kryesore të zonës përpara se të lëviznin drejt vendeve të paracaktuara të vendosjes.

Vendimi për vendosjen e sistemit erdhi pas incidenteve të raportuara me dronë iranianë në afërsi të bazës ushtarake britanike RAF Akrotiri në Administratën Greke Qipriote.

Autoritetet britanike kanë deklaruar më herët se një dron ka rënë në pistën e bazës RAF Akrotiri, por nuk shkaktoi viktima apo dëme të konsiderueshme. Dy dronë të tjerë që po i afroheshin bazës u interceptuan.

Greqia, më herët ka dërguar gjithashtu dy fregata dhe katër avionë luftarakë F-16 Fighting Falcon në Administratën Greke Qipriote për të ofruar mbështetje mbrojtëse.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.