Fondacioni Humanitar i Gazës i mbështetur nga SHBA-ja përfundon aktivitetin pas 9 muajsh
GHF-ja, e cila u krijua nga SHBA-ja dhe Izraeli për të zëvendësuar UNRWA-në, është përballur me kritika për dështimin në përmbushjen e niveleve të shpërndarjes së ndihmës së rënë dakord
Stamboll
Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i mbështetur nga SHBA-ja dhe Izraeli, shpalli fundin e misionit të tij në Gaza, nëntë muaj pas themelimit, transmeton Anadolu.
“GHF-ja njoftoi sot përfundimin me sukses të misionit të tij emergjent në Gaza, pasi shpërndau më shumë se 187 milionë vakte falas drejtpërdrejtë për civilët që jetojnë në Gaza”, tha organizata.
Drejtori ekzekutiv i GHF-së, John Acree, tha se grupi po “përfundon operacionet e tij pasi kemi pasur sukses në misionin tonë për të treguar se ka një mënyrë më të mirë për të ofruar ndihmë për banorët e Gazës”.
Acree tha se modeli i GHF-së po miratohej dhe zgjerohej nga Qendra e Koordinimit Civil-Ushtarak (CMCC) dhe organizata të tjera ndërkombëtare pas javësh bisedimesh.
GHF-ja, e cila u krijua nga SHBA-ja dhe Izraeli për të zëvendësuar agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), është përballur me kritika për dështimin në përmbushjen e niveleve të shpërndarjes së ndihmës së rënë dakord.
Sipër marrëveshjes së armëpushimit të arritur midis Hamasit dhe Izraelit më 10 tetor, 600 kamionë me ndihma duhej të hyjnë në Gaza për çdo ditë. Megjithatë, Izraeli nuk i është përmbajtur marrëveshjes, duke nisur sulme pothuajse të përditshme që kanë vrarë të paktën 342 palestinezë vetëm që nga 10 tetori.
Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë pothuajse 70 mijë njerëz në Gaza, kryesisht gra dhe fëmijë, ka plagosur mbi 170.900 të tjerë, si dhe e ka kthyer pjesën më të madhe të enklavës në rrënoja.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
