Flotilja ndërkombëtare "Sumud" më pak se 90 milje detare nga Gaza
"Vazhdojmë të lundrojmë të padekurajuar nga kërcënimet dhe taktikat izraelite të frikësimit", thanë organizatorët

Stamboll
STAMBOLL (AA) – Flotilja Globale “Sumud” është më pak se 90 milje detare (166 kilometra) larg Rripit të Gazës të bllokuar nga Izraeli, thanë organizatorët, transmeton Anadolu.
“Po lundrojmë në zonën me rrezik të lartë. Qëndroni vigjilentë”, tha flotilja në një deklaratë në plaftormën sociale amerikane X.
Organizatorët thanë se anijet e flotiljes tejkaluan pikën në të cilën anija e ndihmës “Madleen” u kap nga forcat detare izraelite, duke theksuar se të gjithë pjesëmarrësit janë të sigurt.
“Pas një nate taktikash frikësimi nga ushtria izraelite, mund të konfirmojmë se pjesëmarrësit e flotiljes sonë mbetën të qetë dhe ndoqën të gjitha procedurat e duhura të sigurisë”, thanë ata.
“Ne vazhdojmë të lundrojmë të padekurajuar nga kërcënimet dhe taktikat izraelite të frikësimit”, thuhet në deklaratë, duke u bërë thirrje mbështetësve të bëjnë presion mbi qeveritë e tyre për mbrojtjen e aktivistëve dhe të monitorojnë lëvizjen e anijeve nëpërmjet gjurmuesve dhe transmetimit të drejtpërdrejtë.
Flotilja, e ngarkuar kryesisht me ndihmë humanitare dhe furnizime mjekësore, është nisur në përpjekje për të thyer bllokadën izraelite. Kjo shënon herën e parë në vite që dhjetëra anije lundrojnë së bashku drejt Gazës, shtëpi e rreth 2,4 milionë palestinezëve dhe nën bllokadën izraelite për afërsisht 18 vjet.
Izraeli ka shtrënguar më tej rrethimin këtë mars duke mbyllur të gjitha kalimet kufitare dhe duke bllokuar ushqimin, ilaçet dhe ndihmën, duke e shtyrë Gazën në uri pavarësisht kamionëve të ndihmës që grumbullohen në kufijtë e saj.
Ushtria izraelite ka vrarë mbi 66 mijë palestinezë në Rripin e Gazës që nga tetori 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet intensive e kanë bërë enklavën pothuajse të pabanueshme dhe kanë çuar në uri dhe përhapjen e sëmundjeve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.