Flotilja Globale Sumud 175 milje detare nga Gaza, paralajmëron për hyrje me rrezik të lartë sonte
Organizatorët lëshuan një paralajmërim kritik, duke kërkuar vëmendje ndërkombëtare, duke theksuar se siguria e tyre “varet nga bota që po na vëzhgon”

Stamboll
Flotilja Globale Sumud, që lundron për të sfiduar bllokadën e Gazës nga Izraeli, ka bërë të ditur se anijet e saj tani janë vetëm 175 milje detare (324 kilometra) nga enklava e rrethuar palestineze dhe sonte do të hyjnë në një zonë me rrezik të lartë, transmeton Anadolu.
Organizatorët lëshuan një paralajmërim kritik, duke kërkuar vëmendje ndërkombëtare, duke theksuar se siguria e tyre “varet nga bota që po na vëzhgon”.
Ata theksuan se punëtorët dhe aktivistët në të gjithë botën po përgatiten për mobilizime masive në solidaritet dhe kërkuan kalim të sigurt për flotiljen.
"Një sulm ndaj flotiljes është një sulm ndaj Palestinës", deklaruan organizatorët, duke u bërë thirrje mbështetësve global të përhapin mesazhin, të bashkohen në veprime kolektive dhe të qëndrojnë kundër gjenocidit të vazhdueshëm në Gaza.
Flotilja, që mban furnizime humanitare dhe aktivistë ndërkombëtarë, është pjesë e përpjekjeve për të thyer bllokadën shumë-vjeçare të Izraelit, e cila ka përkeqësuar ndjeshëm kushtet e jetesës në Gaza.
Më herët, transmetuesi zyrtar i Izraelit KAN raportoi se flotilja ka hyrë në zonën e përgjimit të Izraelit, me marinën që përgatitej të kap anijet.
KAN raportoi se autoritetet izraelite planifikojnë të transferojnë aktivistët e flotiljes në një anije të madhe luftarake dhe t'i tërheqin anijet në portin e Ashdodit, me mundësinë që disa të fundosen. Sipas direktivave politike, Izraeli ka përjashtuar lejimin e flotiljes për të arritur në Gaza.
Flotilja, e ngarkuar kryesisht me ndihmë humanitare dhe furnizime mjekësore, u nis disa ditë më parë në një përpjekje për të thyer bllokadën izraelite.
Kjo shënon herën e parë në vite që dhjetëra anije kanë lundruar së bashku drejt Gazës, shtëpi e rreth 2.4 milionë palestinezëve që ndodhen nën bllokadën izraelite për afër 18 vjet.
Izraeli e shtrëngoi më tej rrethimin më 2 mars duke mbyllur të gjitha kalimet kufitare dhe duke bllokuar ushqimin, ilaçet dhe ndihmën, duke e shtyrë Gazën në uri pavarësisht kamionëve të ndihmës që po grumbullohen në kufijtë e saj.
Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë në Gaza të paktën 66 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme e kanë bërë enklavën të pabanueshme dhe kanë çuar në uri dhe përhapjen e sëmundjeve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.