Flotilja globale humanitare 399 milje detare larg Gazës, pritet të mbërrijë më 30 shtator
“E vetmja gjë midis nesh dhe Gazës tani është deti”, tha një aktiviste nga Holanda.

Stamboll
Flotilja ndërkombëtare humanitare “Sumud” është më pak se 399 milje detare larg Rripit të Gazës dhe pritet të arrijë në enklavë më 30 shtator, thanë organizatorët të dielën, transmeton Anadolu.
“Koha ecën dhe flotilja lëviz bashkë me të – çdo minutë e çon Flotiljen Globale Sumud më afër Gazës dhe drejtësisë që meriton”, tha koalicioni në një deklaratë në rrjetin social amerikan X.
Koalicioni ndau një hartë që tregon rrugën e anijeve për në Gaza, duke vënë në dukje se kanë mbetur vetëm 399 milje detare për të arritur në territorin e bllokuar.
Sipas Wael Naouar, zëdhënës i flotës së Magrebit, anijet pritet të arrijnë në Gaza më 30 shtator ose 1 tetor. Mund të ketë vonesa në varësi të kushteve të motit, shtoi ai.
Sipas një videoje të ndarë nga një aktivist turk në bord, një anije e Marinës Greke është kthyer pasi shoqëroi flotiljen në ujërat ndërkombëtare, ndërsa marina italiane dhe ajo spanjolle vazhdojnë të ofrojnë mbrojtje për aktivistët në bord.
“E vetmja gjë midis nesh dhe Gazës tani është deti”, tha Ross Ykema, aktiviste nga Holanda, në një deklaratë me video.
Që nga 2 marsi, Izraeli ka mbyllur plotësisht kalimet e Gazës, duke bllokuar konvojet e ushqimit dhe ndihmës dhe duke thelluar kushtet e urisë në enklavë. Vetëm furnizime të kufizuara lejohen herë pas here, dhe shumë prej tyre plaçkiten nga grupe të armatosura që autoritetet e Gazës akuzojnë Izraelin se i mbron.
Izraeli, si fuqi pushtuese, ka ndaluar shpesh anije që shkojnë në Gaza, duke i sekuestruar ato dhe duke i deportuar aktivistët. Kritikët i përshkruajnë veprimet e tilla si pirateri.
Ushtria izraelite ka vrarë mbi 66.000 palestinezë në Gaza që nga tetori 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet intensive e kanë bërë enklavën të pabanueshme dhe kanë çuar në uri dhe përhapjen e sëmundjeve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.