Bota

Flotilja e ndihmave për Gazën do të mbajë konferencë për media pas përpjekjes izraelite për ndërhyrje

Flotilja Globale "Sumud" tha se konferenca do të mbahet në orën 12:30 me kohën e Gazës pranë vijës prej 120 miljesh detare (222 kilometra) larg bregdetit të Gazës

Mohammad Sıo  | 01.10.2025 - Përdıtësım : 01.10.2025
Flotilja e ndihmave për Gazën do të mbajë konferencë për media pas përpjekjes izraelite për ndërhyrje

Stamboll

Organizatorët e flotiljes ndërkombëtare të ndihmave për Gazën planifikojnë për sot të mbajnë konferencë për media për të adresuar një përpjekje izraelite për ndërhyrje ndaj anijeve, transmeton Anadolu.

Flotilja Globale "Sumud" tha se konferenca do të mbahet në orën 12:30 me kohën e Gazës pranë vijës prej 120 miljesh detare (222 kilometra) larg bregdetit të Gazës.

Folësit në konferencën për media do të përfshijnë Lisi Proenca, një pjesëmarrëse në bordin e anijes "Sirius", Thiago Avila, një anëtar i komitetit drejtues të flotiljes në bordin e anijes "Alma", Francesca Albanese, raportuese e posaçme e OKB-së për territoret e pushtuara palestineze, si dhe Lamis J. Deek, një avokate ndërkombëtare dhe drejtore e çështjeve juridiko-diplomatike për Komisionin e Asamblesë Palestineze për Çlirim.

Një anije e madhe luftarake u pa herët në mëngjes pranë flotiljes që është nisur drejt Gazës, ndërsa organizatorët raportuan një gjendje të gatishmërisë së lartë në det.

Sipas një korrespondenti nga Al Jazeera në bordin e flotiljes, kontakti me anijen "Alma" është rivendosur pasi fillimisht u humb për një kohë të shkurtër. Korrespondenti tha se një anije iu afrua vetëm metra anijes "Alma", anijes kryesore të flotiljes, si dhe bllokoi të gjitha sistemet e saj të komunikimit dhe motorin e saj, duke i bërë jofunksionale.

Ai shtoi se pjesëmarrësit në bordin e anijes "Alma" i hodhën telefonat e tyre në det në përputhje me protokollet e përcaktuara të sigurisë. Më vonë, korrespondenti raportoi se anija izraelite u largua nga zona, duke lejuar flotiljen të vazhdojë rrugën e saj drejt brigjeve të Rripit të Gazës.

Një deklaratë zyrtare e flotiljes tha se forcat detare izraelite kryen një "operacion kërcënues" kundër konvojit në mëngjes herët.

Rripi i Gazës ka qenë nën një rrethim 18-vjeçar izraelit. Tel Avivi e shtrëngoi më tej bllokadën më 2 mars, duke mbyllur të gjitha pikat kufitare dhe duke bllokuar ushqimin, ilaçet dhe ndihmën, duke e çuar Gazën në uri pavarësisht kamionëve me ndihma që grumbullohen në kufijtë e saj.

Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë mbi 66 mijë palestinezë në Rripin e Gazës, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme e kanë kthyer enklavën të pabanueshme dhe kanë çuar në uri dhe përhapje të sëmundjeve.


​​​​​​​

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.