Bota

Flet për AA avokatja e aktivistëve në anijen "Madleen" të ndaluar nga Izraeli

Avokatja e aktivistëve në anijen që transportonte ndihma humanitare për në Gaza, të cilën Izraeli e ndaloi në ujërat ndërkombëtare, tha se klientët e saj të cilët Izraeli dëshiron t'i deportojë, e refuzojnë akuzën se "kanë hyrë ilegalisht në Izrael"

Enes Canlı, Samir Abdalhade  | 11.06.2025 - Përdıtësım : 12.06.2025
Flet për AA avokatja e aktivistëve në anijen "Madleen" të ndaluar nga Izraeli

Kuds

RAMLE (AA) - Lubna Tuma, avokatja e aktivistëve në anijen "Madleen" që transportonte ndihma humanitare për në Gaza, të cilën Izraeli e ndaloi në ujërat ndërkombëtare, tha se klientët e saj të cilët Izraeli dëshiron t'i deportojë, e refuzojnë akuzën se "kanë hyrë ilegalisht në Izrael" dhe se përballë kësaj "aktivistët janë tërhequr këtu kundër vullnetit të tyre".

Katër nga 12 aktivistët e të drejtave të njeriut të ndaluar nga anija e ndihmës humanitare "Madleen" që shkonte në Gaza u kthyen në vendet e tyre. Ndërsa tetë nga aktivistët që refuzuan të nënshkruanin "dokumentet e deportimit" që iu paraqitën, u sollën sot para gjyqtarit në gjykatën e imigracionit në qendrën e paraburgimit Givon në qytetin Ramle.

Lubna Tuma, avokatja e organizatës ligjore izraelite Adalah, pas seancës dëgjimore në të cilën ata përfaqësojnë shtatë aktivistë tha për Agjencinë Anadolu (AA) se seanca dëgjimore është zhvilluar dhe se ata po presin vendimin.

Ajo theksoi se aktivistëve iu ofrua të nënshkruanin një dokument dhe të deportoheshin. "Atyre iu paraqit një dokument që deklaronte se ata kanë rënë dakord për deportimin e tyre pa u paraqitur para një gjyqtari. Dokumenti përfshin një frazë që ata të pranojnë se kanë hyrë ilegalisht në Izrael. Aktivistët nuk dhanë pëlqimin për këtë dhe shumë prej tyre nuk e pranuan atë", tha Tuma.

Avokatja shtoi se Izraeli ka ndaluar anijen "Madleen" në ujërat ndërkombëtare.

"Si aktivistë dhe Adalah ne besojmë se sekuestrimi (ndalimi) i flotiljes është i paligjshëm në aspektin ligjor. Ne e mbrojtëm këtë në seancën e sotme dëgjimore. Ligji që ne e quajmë ligji i hyrjes në Izrael mund të zbatohet vetëm nëse një person hyn në Izrael me vullnetin e tij të lirë. Për këta aktivistë, situata është krejtësisht ndryshe. Ata u tërhoqën këtu kundër vullnetit të tyre, që do të thotë se u rrëmbyen në Izrael", tha Tuma duke shtuar:

"Prandaj, ky ligj nuk mund të zbatohet. Ata nuk hynë në Izrael, ata u sollën me forcë në Izrael. Në mënyrë të ngjashme, ata u morën nga ujërat ndërkombëtare. Ata nuk u ndaluan në ujërat territoriale izraelite", potencoi avokatja.

Pasi theksoi se flotilja synonte të dërgonte ndihmë humanitare në Gaza dhe se Izraeli e ka penguar këtë, Tuma tha se qeveria e Tel Avivit po rrit "bashkëfajësinë" e saj në urinë atje.

Tuma thotë se aktivistët e të drejtave të njeriut janë mbajtur nën diellin përvëlues gjatë gjithë ditës pavarësisht se u ndaluan gjatë natës. Ajo nënvizoi se klientët e saj janë në gjendje të mirë shëndetësore, se kanë folur me ta për ushqyerjen e tyre dhe nëse i janë nënshtruar apo jo dhunës.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın