Bota

Fituesi i Istanbul Photo Awards që dokumenton urinë në Gaza: Fotografia ndonjëherë është e vetmja dëshmi e vuajtjes

Duke përshkruar fotografinë e tij të titulluar “Një krizë humanitare: Uria dhe bllokada”, Issa tha se, “Paniku dhe dëshpërimi janë të dukshëm në fytyrat e tyre, teksa secili mban tenxhere bosh në përpjekje për të siguruar ushqimin e përditshëm”

Asiye Latife Yılmaz  | 11.08.2025 - Përdıtësım : 11.08.2025
Fituesi i Istanbul Photo Awards që dokumenton urinë në Gaza: Fotografia ndonjëherë është e vetmja dëshmi e vuajtjes

Stamboll

Fituesi i kategorisë “Jeta e Përditshme” në Istanbul Photo Awards, Mahmoud Zaki Salem Issa, ka deklaruar se ndonjëherë imazhet e një fotoreporteri janë e vetmja dëshmi e padrejtësisë dhe vuajtjes.

Istanbul Photo Awards, i organizuar nga Anadolu për të 11-tin vit radhazi, vlerësoi 29 fotografë në 10 kategori. Përzgjedhjet e fotografive u bënë nga afër 22 mijë aplikime nga e gjithë bota, një dëshmi e prestigjit në rritje të konkursit, i cili që nga fillimi i tij ka tërhequr pjesëmarrje nga më shumë se 20 mijë fotografë në të gjithë botën.

Fotografi palestinez Issa u vlerësua me çmimin e parë në kategorinë “Marion Mertens - Jeta e Përditshme Individuale” me paraqitjen e tij të fuqishme të krizës së urisë në Gaza.

“Kjo fotografi përshkruan një skenë të dhimbshme njerëzore të njerëzve që vuajnë nga uria dhe varfëria, duke u përpjekur të kërkojnë ushqim”, tha Issa për Anadolu.

Duke përshkruar fotografinë e tij të titulluar “Një krizë humanitare: Uria dhe bllokada”, Issa tha se, “Paniku dhe dëshpërimi janë të dukshëm në fytyrat e tyre, teksa secili mban tenxhere bosh në përpjekje për të siguruar ushqimin e përditshëm”.

Gaza veriore u përball me një uri shkatërruese nën një rrethim të zgjatur. Mungesa e ushqimit, shkatërrimi i infrastrukturës dhe rrugët e bllokuara të ndihmës çuan në një krizë humanitare të pashembullt.

Dhimbja në Gaza u çoi Issa-n të fotografojë pikat e shpërndarjes së ushqimit dhe të kap vuajtjet e fëmijëve, shumë prej të cilëve ishin të kequshqyer.

“Ndjenjat e mia ishin një përzierje trishtimi dhe pafuqie dhe gjithashtu kisha dëshirë t’i dërgoja një mesazh botës për këtë tragjedi”, tha ai.

Duke theksuar seriozitetin e situatës, Issa tha se skenat zemërthyese rezonuan personalisht, pasi familja e tij po duronte të njëjtat vuajtje.

“Imazhi dokumenton një moment të vështirë që pasqyron vuajtje ekstreme. Njerëzit në Gazën veriore po vuanin nga një uri e vërtetë”, theksoi ai.

Ai tha se një nga aspektet më të vështira të kapjes së shkatërrimit ishte se ai po jetonte të njëjtën krizë.

“Nuk kishte transport, gjë që më detyroi të ecja distanca të gjata për të fotografuar pikat e shpërndarjes së ushqimit për t’ia përcjellë vuajtjet e njerëzve botës së jashtme”, tha Issa.

- Kamera si dëshmitare

“Mendova se kjo fotografi ishte më e afërta me shfaqjen e vuajtjeve të njerëzve, turmave që nxitonin për të marrë ushqim dhe fëmijëve që bërtisnin për të marrë pak ushqim”, tha Issa.

Besimi i fotografit palestinez në fuqinë e rrëfimit vizual është i thellë. Për të, fotografia nuk ka të bëjë vetëm me të qenit dëshmitar; ka të bëjë me mbajtjen e përgjegjësisë.

“Fotografia e lajmeve është një forcë e fuqishme që duhet marrë seriozisht. Ajo nuk është thjesht dokumentim i ngjarjeve, por një mjet i aftë për të ndikuar opinionin publik, për të nxitur ndryshime dhe për të zbuluar të vërtetën”, tha ai.

Issa gjithashtu theksoi se nuk ka asnjë dyshim që fotografia ka fuqinë të bëjë ndryshim në botë.

“Ashtu si një imazh i vetëm mund të ketë ndikim të thellë, po ashtu edhe shumë imazhe nga Gaza kanë pasur një ndikim të thellë global ndër vite”, tha ai.

Issa gjithashtu theksoi ndikimin e përparimeve teknologjike në fotogazetari në zonat e konfliktit. Ai theksoi se publikimi ultra i shpejtë mundëson përhapjen e menjëhershme të lajmeve, ndërsa pajisjet moderne sigurojnë imazhe më të qarta, edhe në kushtet më të vështira.

Issa e përshkroi reagimin e tij për fitimin e çmimit si të ëmbël dhe të hidhur njëkohësisht, pasi ndjenjat e gëzimit u përzien me trishtimin për bombardimet, rrethimin, urinë dhe shkatërrimin që vazhdon në Gaza.

“Shpresoj që kjo fotografi të jetë një arsye për të ndalur luftën ndaj popullit të Gazës”, tha Issa.

Çmimet e Fotografisë Istanbul Photo Awards të Anadolu-r janë bërë një gurthemel i fotogazetarisë botërore, duke festuar artin e rrëfimit vizual teksa hedhin dritë mbi çështje kritike në mbarë botën.

Këtë vit, konkursi Istanbul Photo Awards mbështetet nga Turkcell si sponsor komunikimi, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) si sponsor i aktiviteteve jashtë vendit, si dhe nga Turkish Airlines si sponsor ajror.

Më shumë informacion mbi fotografitë fituese dhe anëtarët e jurisë mund të gjenden në ‘istanbulphotoawards.com’.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.