Bota

Fillon votimi me postë nga jashtë Kosovës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

Kjo periudhë, e cila do të zgjasë nga 27 tetori deri më 8 nëntor, u është mundësuar për të votuar 29.712 shtetasit e Kosovës që janë regjistruar me sukses për votim jashtë vendit gjatë afatit të regjistrimit

Agim Sulaj  | 27.10.2025 - Përdıtësım : 27.10.2025
Fillon votimi me postë nga jashtë Kosovës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

Prishtinë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Kosovës ka njoftuar se ka filluar periudha e votimit me postë nga jashtë vendit për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, transmeton Anadolu.

Kjo periudhë, e cila do të zgjasë nga 27 tetori deri më 8 nëntor, u është mundësuar për të votuar 29.712 shtetasit e Kosovës që janë regjistruar me sukses për votim jashtë vendit gjatë afatit të regjistrimit, respektivisht nga 23 korriku deri më 29 gusht 2025.

Sipas KQZ-së, këta votues i përkasin komunave që janë pjesë e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, në bazë të rezultateve ende të pa certifikuara.

Komunat përfshijnë: Gjakovë (3,141), Gjilan (2,066), Dragash (2,770), Kaçanik (1,149), Klinë (2,230), Fushë Kosovë (489), Mitrovicë e Jugut (1,188), Obiliq (220), Rahovec (1,902), Pejë (1,895), Prishtinë (1,727), Prizren (2,870), Suharekë (3,325), Viti (1,970), Vushtrri (1,019), Junik (1,363), Mamushë (356) dhe Kllokot (49).

KQZ ka nisur procesin e votimit jashtë vendit para certifikimit të rezultateve për të shmangur vonesat dhe për të garantuar që çdo qytetar i regjistruar të mund të ushtrojë të drejtën e tij për të votuar në kohë.

Në përputhje me Rregulloren Zgjedhore, KQZ-ja do t’u dërgojë të gjithë votuesve të regjistruar pakon me fletëvotime përmes postës, e cila përmban fletëvotimin, zarfin e fshehtësisë, udhëzuesin me instruksione për plotësimin e fletëvotimit dhe zarfin kthyes.

Votuesit jashtë Kosovës duhet ta dërgojnë pakon me fletëvotimin në njërën nga kutitë postare të KQZ-së, të cilat janë funksionale në 24 shtete, përfshirë Australinë, Austrinë, Belgjikën, Çekinë, Danimarkën, Francën, Gjermaninë, Holandën, Hungarinë, Italinë, Kanadanë, Kroacinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë, SHBA-në, Shqipërinë, Slloveninë, Suedinë, Turqinë, Zvicrën dhe Kosovën.

Sipas KQZ-së, dërgimi i pakove ka filluar në disa shtete dhe shërbimet postare po i shpërndajnë ato në adresat që votuesit kanë deklaruar gjatë regjistrimit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.