Fillon samiti i vendeve të Azisë Juglindore në Malajzi, blloku zgjerohet për herë të parë pas 26 vitesh
Kryeministri malajzian po pret samitin e katërt të ASEAN-it, me pjesëmarrje udhëheqësish dhe zyrtarësh të lartë nga SHBA-ja, Afrika e Jugut, Brazili, Kina, Japonia, Koreja e Jugut dhe partnerë të tjerë kyç
Stamboll
Samiti i Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) u hap të dielën në Malajzi, ku udhëheqësit mirëpritën Timorin Lindor si anëtarin e saj të 11-të, duke shënuar zgjerimin e parë të bllokut në 26 vjet, transmeton Anadolu.
Kryeministri malajzian Anwar Ibrahim po pret samitin e 47-të, i cili do të zgjasë deri të martën. Malajzia është kryesuese e bllokut, që është hera e pestë që nga viti 1967.
Në ceremoninë e hapjes në Qendrën e Konventave të Kuala Lumpurit, udhëheqësit morën pjesë në një ceremoni nënshkrimi për të pranuar zyrtarisht Timorin Lindor, i njohur si Timor-Leste, i cili aplikoi për herë të parë për anëtarësim në vitin 2011 dhe iu dha statusi i vëzhguesit në vitin 2022.
ASEAN, një organizatë rajonale e themeluar në Bangkok më 8 gusht 1967, përbëhet nga Brunei, Kamboxhia, Indonezia, Laosi, Malajzia, Mianmari, Filipinet, Singapori, Tajlanda dhe Vietnami.
Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, po pret udhëheqës nga shtetet anëtare të ASEAN-it, së bashku me udhëheqës dhe zyrtarë të lartë nga SHBA-ja, Afrika e Jugut, Brazili, Kina, Japonia, Koreja e Jugut dhe partnerë të tjerë kyç, për samitin me temën “Gjithëpërfshirja dhe qëndrueshmëria”.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po ashtu po merr pjesë në samit.
Një vend me 1,3 milion banorë, Timori Lindor fitoi pavarësinë në vitin 2002 dhe është shteti i parë që iu bashkua bllokut të kombeve të Azisë Juglindore që nga pranimi i Kamboxhias në vitin 1999.
